Corner Raporte

Raport mujor për të drejtat e njeriut në Republikën e Maqedonisë 10 Qershor 2010

Maj 2010

1. NGJARJE DHE SHKELJE PUBLIKE TË PARIMEVE DEMOKRATIKE

1.1.  Hap më tej në realizimin e projektit “Shteti policor, policia partiake”

1.2. Policia, punëtorët e firmave të falimentuara dhe liria e bashkimit dhe e shprehjes së protestës

1.3. Shqyrtimi i raportit të dytë periodik të Republikës së Maqedonisë për SHNP nga ana e Komitetit për të drejtat e fëmijës

1.4. Gjenerimi ose lufta kundër homofobisë në Republikën e Maqedonisë

1.5. Respektimi selektiv i të drejtave të njeriut në nivel lokal

2. RASTE POLICIE DHE GJYQËSIE

2.1. Domosdoshmëria e caktimit të masës paraburgim – Rasti Bashkim Ali

2.2. Paralajmërime të forta për hetim, ndërsa rezultate s’ka – Rasti S.M.

2.3. Arsyetime të paqëndrueshme juridikisht dhe veprime kokë më vete të policisë – Rasti Dragi Trajkovski, Gjevgjeli

2.4. Këshilli Gjyqësor realitet apo fiksion – Rasti Radevski Aleksandar

___________________________________________________________________

1. NGJARJE DHE SHKELJE PUBLIKE TË PARIMEVE DEMOKRATIKE

1.1. Hap më tej në realizimin e projektit “Shteti policor, policia partiake”

Përmes propozim-plotësimit të  “ligjit teknik” (Ligjit për telekomunikime) Qeveria e RM, si propozues dhe pushteti, përmes shumicës në Parlament, janë afër realizimit të një hapi të madh të instalimit të përgjithshëm të shtetit policor dhe de fakto të fshirjes së të drejtës së privacisë, si një nga të drejtat themelore të njeriut.

Propozim-ligji nuk e respekton Kushtetutën e RM (që e mbron paprekshmërinë e lirisë dhe të fshehtësisë së letrave dhe të gjitha format tjera të komunikimit dhe garanton respektimin dhe mbrojtjen e privacisë të jetës personale dhe familjare, dinjitetin dhe autoritetin, për shkak se mundëson shmangie nga këto postulate pa vendim gjyqësor) dhe një varg dokumentesh ndërkombëtare,  të cilat shteti i ka pranuar e të cilat si të tilla vetvetiu janë pjesë e legjislativit tonë. Ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për telekomunikime, që e kaluan leximin e parë e që tani në leximin e dytët në Kuvendin e RM, në vend se të ofrojë harmonizimin e vet me obligimet e operatorëve dhe dhënësit e shërbimeve publike komunikuese,  me vendimet e parapara në Ligjin për ndjekjen e komunikimeve shkon një hap më tej – ofron mundësi të reja që policia dhe shërbimet sekrete lehtë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë të merren me privacinë, bile duke mos i respektuar as edhe ligjet në fuqi të shtetit – për procedurë penale e për ndjekjen e komunikimeve dhe atë të punëve të brendshme.

Propozim-ligji parasheh që “operatorët e rrjeteve komunikuese publike dhe dhënësit e shërbimeve komunikuese publike obligohen që me kërkesë të organeve kompetente shtetërore të dorëzojnë të dhënat e komunikacionit kur kjo është e nevojshme për pengimin ose zbulimin e veprave penale, për udhëheqjen e procedurës penale ose kur këtë e kërkojnë interesat e sigurisë dhe të mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë”[1]. Propozuesit e ndryshimeve shkojnë një hap më tej në derogimin e normave ligjore dhe kushtetuese tashmë ekzistuese duke i dhënë organit të autorizuar për ndjekjen e komunikimeve (MPB) fuqi të pakufishme për të pasur në dispozicion të dhënat, duke iu shmangur çdo kontrolli të jashtëm. Në propozim-ligj[2]  përcaktohet që organit të autorizuar për ndjekjen e komunikimeve – e kjo është MPB, operatorët e rrjeteve komunikuese publike dhe dhënësit e shërbimeve komunikuese publike obligohen që t’i mundësojnë qasje të vazhdueshme dhe të drejtpërdrejtë në rrjetet e tyre komunikuese elektronike, si dhe kushte për marrje të mëvetësishme të të dhënave për komunikacion. Dhe,  kjo zgjidhje gjithashtu është zgjeruar edhe në lokacionet e pajisjes terminale të shfrytëzuesve[3]. Është tërësisht e qartë që me këto zgjidhje shmanget Gjyqi, Prokuroria publike, madje edhe vetë operatorët, për shkak se MPB-së i mundësohet që në mënyrë të mëvetësishme të marrë të dhënat e komunikacionit, ashtu që askush tjetër nuk ka nevojë ta dijë se MPB merr të dhëna, ndërkohë që për kontroll të jashtëm as që bëhet fjalë, gjë që është në kolizion absolut me legjislacionin tashmë ekzistues.

E tepërt është të theksohet se në procesin e përgatitjes së propozim-ndryshimeve, ato janë bërë në mënyrë jotransparente dhe inkluzive, pa u mundësuar pjesëmarrje institucioneve relevante (Delegacionit të Bashkimit Evropian në RM, Drejtorisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale), si dhe opinionit publik vendor e ndërkombëtar, sektorit privat dhe civil. Komiteti i Helsinkit iu bashkëngjit kërkesës së një pjese të organizatave joqeveritare për tërheqjen e propozim-ligjit dhe vetë përgatiti komentet në propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për telekomunikime dhe të njëjtat ua dorëzoi deputetëve në Kuvendin e RM[4].

1.2. Policia, punëtorët e firmave të falimentuara dhe liria e bashkimit dhe e shprehjes së protestës

Republika e Maqedonisë konsiderohet shtet demokratik,  ku mbahet llogari për sigurimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Kështu që me vetë pranimin e dokumenteve ndërkombëtare,  prej të cilave dalin garancitë themelore për të drejtat e njeriut dhe integrimi i tyre kushtetues, në mesin e të cilave edhe liria e bashkimit dhe e shprehjes së protestës publike, shteti ka marrë mbi vete obligimin që jo vetëm t’i mundësojë, por të njëtat t’i mbrojë dhe t’i sigurojë.

Për fat të keq, obstruksionet e vazhdueshme që u bëhen protestave të punëtorëve të firmave të falimentuara,  të cilët përpiqen që kërkesat e tyre t’i shprehin përmes protestës së qetë, të çojnë të konkludosh që demokracia dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe sidomos e drejta e bashkimit dhe e protestës në Maqedoni janë vetëm fjalë në letër.

E drejta e shprehjes së protestës është rregulluar me ligj dhe e njëjta nënkupton që pasi të paralajmërohet protesta, policia bashkëpunon me organizatorin e tubimit publik,  që tubimi të mbahet pa u penguar dhe të merren masa për mbrojtjen e jetës, të sigurisë personale dhe të ruajtjes së rendit dhe të qetësisë publike[5].

Megjithatë, në rastin e punëtorëve të firmave të falimentuara duket që pjesëtarët e policisë kanë marrë urdhër që t’i harrojnë obligimet e tyre në sigurimin e rendit dhe të qetësisë publike dhe në mbrojtjen e sigurisë personale të pjesëmarrësve, kështu që të njëjtët si vëzhgues memecë të gjendjeve lejojnë që të vijë deri në sulme fizike dhe verbale ndaj organizatorëve të protestës.

Policia është vegël e realizimit të ligjeve dhe jo e thyerjeve të tyre dhe me këtë rast duhet të jetë servis i qytetarëve në funksion të ruajtjes dhe sigurimit të tyre, pa marrë parasysh përkatësinë politike. Kjo nuk është hera e parë që jemi dëshmitarë të shkeljes së dinjitetit njerëzor,  në përpjekje të shprehjes së mendimit personal; të tilla ishin edhe ndodhitë e vitit të kaluar me tubimet publike të studentëve të arkitekturës,  si dhe të fermerëve nga Manastiri, për të cilat Republika e Maqedonisë mori edhe vërejtje eksplicite në Raportin e Komisionit Evropian, të cilat duket që nuk kanë qenë të mjaftueshme që Qeveria të ndryshojë sjelljen.

Komiteti edhe një herë rikujton arritjet më të mëdha të demokracisë, sikurse që është e drejta e bashkimit dhe e shprehjes së protestës, dhe ndër mend që çdo sjellje e kundërt përveç mbrojtjes së tyre,  paraqet shkelje të të drejtave të njeriut, e me këtë edhe të parimeve demokratike të një shoqërie.

1.3. Shqyrtimi i raportit të dytë periodik të Republikës së Maqedonisë për SHNP nga ana e Komitetit për të drejtat e fëmijës

Në sesionin e 54-të të Komitetit për të Drejtat e Fëmijës, që u mbajt më 27 dhe 28 maj 2010, mori pjesë edhe përfaqësuesi i Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Republikën e Maqedonisë. Në sesion ishin shqyrtuar Raporti i dytë periodik i Republikës së Maqedonisë në përmbushjen e obligimeve nga Konventa për të drejtat e fëmijës dhe raportet iniciale për protokollet fakultative të Konventës.

Pas aderimit dhe ratifikimit nga ana e Republikës së Maqedonisë të Konventës për të drejtat e fëmijës në vitin 1993, pastaj të Protokollit fakultativ për tregti me fëmijë, prostitucion me fëmijë e pornografi me fëmijë në vitin 2003, dhe të Protokollit fakultativ për involvimin e fëmijëve në konflikte të armatosura në vitin 2004, Republika e Maqedonisë ka marrë mbi vete obligimin e respektimit të dispozitave të tyre, si dhe harmonizimin e legjislacionit vendor me to.

Edhe pse nga ana e Komitetit për të drejtat e fëmijës u përshëndet angazhimi i shtetit për të harmonizuar legjislacionin me Konventën dhe Protokollet, megjithatë ishte konstatuar se duhet bërë shumë që të sigurohet mbrojtja e plotë e të drejtave të fëmijëve.

Komiteti i Helsinkit si pjesëmarrës në procesin e përgjithshëm gjatë përgatitjes së Raportit alternativ[6] dhe pjesëmarrjes në sesionin përgatitor dhe në sesionin e Komitetit për të Drejtat e Fëmijës, pret rekomandimet përfundimtare,  të cilat gjerësisht duhet të jenë të diseminuara, njëkohësisht do të monitorojë dhe zbatimin dhe realizimin e tyre. 

1.4. Gjenerimi ose lufta kundër homofobisë në Republikën e Maqedonisë

Dita ndërkombëtare e luftës kundër homofobisë (IDAHO), 17 maji, bashkë me hulumtimin e fundit të HERA për kurrikulumet në sistemin arsimor, sërish nxorën mbi sipërfaqe zgjerimin institucional të homofobisë, që është në kundërshtim me përpjekjet e Republikës së Maqedonisë për zbatimin e plotë të parimit të të drejtave të njeriut e të mosdiskriminimit.

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Republikën e Maqedonisë reagon shumë ashpër me rastin e publikimit dhe përdorimit të tre librave shkollorë, të cilët në mënyrë aktive shfrytëzohen nga ana e studentëve të fakulteteve të mjekësisë, stomatologjisë dhe të psikologjisë. Dy prej librave shkollorë janë të nënshkruar nga Georgi Çadllovski (Psikiatri 1 dhe 2, Prosvetno dello, Shkup, 2004 dhe Psikologji mjekësore, Prosvetno dello, Shkup, 2004), e një nga profesor Ollga Shkariq (Psikologji zhvillimore, Fakulteti Filozofik, Shkup, 2004). Njëkohësisht, në arsim të mesëm në përdorim janë librat shkollorë  të Marija Kostovës, Aneta Barakovskës dhe Eli Makazlievës (red.) (Pedagogji për vitin e tretë gjimnaz, lëndë zgjedhore, Prosvetno dello, Shkup, 2005); Temkov Kiril (Etika për vitin e dytë gjimnaz, Prosvetno dello, Shkup, 2004). Në të gjithë këta libra shkollorë homoseksualiteti trajtohet si sëmundje dhe si dukuri socio-patologjike dhe si çrregullim i epshit seksual. Me këtë qëndrim u paraqit edhe një deputet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, gjë që homoseksualët i vë para një rreziku të lartë të pësimit të dhunës.

Komiteti i Helsinkit iu drejtua Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shkup dhe si përgjigje mori Klasifikimin e sëmundjeve, ku qartë shihet që homoseksualiteti nuk është në listën e sëmundjeve dhe të çrregullimeve[7] . Duke marrë parasysh faktin se OBSH, APA, Asociacioni Psikiatrik Maqedonas dhe Dhoma e Mjekëve e Maqedonisë e kanë hequr (dy të parat shumë më herët, ndërsa të dytat më vonë) homoseksualitetin nga lista e sëmundjeve,  përhapja e informacioneve të këtilla është akt skajshmërisht diskriminues, jotolerant dhe akt stigmatizimi të homoseksualëve në Republikën e Maqedonisë.  Prania e këtyre informacioneve në sistemin arsimor të RM do të thotë se shteti në mënyrë institucionale përhap homofobinë në mesin e qytetarëve.

Komisioni për të Drejtat e Njeriut i KB instaloi mandatin trevjeçar të Raportuesit special në vitin 2002 dhe i njëjti u vazhdua më 2005 për 3 vjet. Në dhjetëvjetorin e Konferencës në Kajro, Raportuesi special fliste për të drejtat riprodhuese dhe seksuale në raportin e vet për Komisionin për të Drejtat e Njeriut. Është ky një dokument gjithëpërfshirës, i cili bën kufizimin e lidhjeve ndërmjet të drejtave riprodhuese/seksuale dhe të drejtave të njeriut e i cili flet për të drejtat seksuale e riprodhuese dhe të drejtat e LGBT. Raporti përjashton diskriminimin mbi bazë të orientimit seksual gjatë realizimit të të drejtave seksuale dhe riprodhuese. E drejta për shëndet, përfshi dhe shëndetin seksual dhe riprodhues, përfshin të drejtat seksuale që janë të definuara si liri seksuale nga ana e Raportuesit special.  Të drejtat seksuale janë të drejta të njeriut dhe ato përfshijnë – “të drejtën e çdo personi për të shprehur orientimin e vet seksual, duke respektuar mirëqenien dhe të drejtat e të tjerëve, pa frikë nga ndjekja, kufizimi i lirisë dhe përzierjes sociale”.

Rëndësia e shëndetit publik po ashtu është nënvizuar në nenin 153 të Marrëveshjes së Bashkësisë Evropiane dhe në nenin 129 të Marrëveshjes së Bashkimit Evropian.

Në drejtim të kapërcimit të stereotipave të etabluar dhe të qarkullimit të informacioneve të gabuara dhe të vjetruara edhe në sistemin arsimor edhe në mjetet tjera të informimit dhe të deseminimit të diturisë, si dhe të kapërcimit të konfliktit të informacioneve që do të ndodh me instalimin e orëve për Shkathtësi jetësore, Komiteti i Helsinkit i Republikës së Maqedonisë organizoi debat publik, i cili doli me disa konkluzione. Hulumtimi dhe monitorimi i kryer ndaj kurrikulumit në arsimin e mesëm dhe të lartë në Republikën e Maqedonisë tregojnë prani të theksuar të reprezentacioneve stereotipe të homoseksualëve, ndërsa në një numër të jashtëzakonshëm edhe patologji të homoseksualitetit, gjë që është në kundërshtim me dispozitat e OBSH, APA, si dhe të Dhomës së Mjekëve të Maqedonisë dhe të Asociacionit Psikiatrik të Maqedonisë. Nga këto shkaqe,  në debat iu bë apel Qeverisë së RM, veçanërisht Ministrisë së Arsimit e të Shkencës dhe Byrosë për Zhvillimin e Arsimit për t’i tërhequr librat shkollorë ekzistues[8] dhe krijimin e programeve dhe përmbajtjeve që do të jenë në harmoni me njohuritë dhe faktet bashkëkohore, si dhe të cilat do të mundësojnë promovimin e parimeve të mosdiskriminimit, demokracisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut.

Hulumtimi me titull “Dashuri pas orëve”, realizuar nga OJQ H.E.R.A., tregon se njohuritë nga sfera e shëndetit seksual dhe riprodhues në mesin e nxënësve të shkollave të mesme ende janë të parëndësishme. Te një numër i madh të hulumtuarish paraqiten mosnjohuri komplete rreth disa metodave bazë për mbrojtje nga infeksionet e transmetueshme seksuale, si dhe prania e një numri të madh të paragjykimeve dhe strereotipave, sidomos ndaj grupeve pakicë. Një përqindje e madhe e të hulumtuarve prindër shfaqin qëndrim pozitiv ndaj aplikimit të arsimit për shëndet seksual, ndërkohë që temat ekzistuese në programe vetëm pjesërisht i mbulojnë temat që hyjnë në kompleksin e arsimit seksual. Nga këto njohuri u konkludua se është i domosdoshëm aplikimi i arsimit për shëndet seksual, që do të ketë qasje holistike ndaj problematikës dhe do të bazohet në përvojat dhe praktikat e mira të vendeve të tjera (Suedi, Belgjikë, Holandë etj.). Bashkërisht u përshëndet iniciativa për aplikimin e lëndës “Shkathtësi jetësore” dhe u bë apel për realizim serioz dhe dinjitoz të këtij programi. U përshëndet edhe përgatitja e Strategjisë për shëndet riprodhues dhe seksual në përgatitje të Ministrisë së Shëndetësisë në bashkëpunim me opinionin publik të ekspertëve dhe sektorin joqeveritar. Njëkohësisht,  u  rekomandua që Strategjia patjetër duhet të mbështetet seriozisht në qasjen që do të duhet të marrë parasysh nevojat dhe problemet e bashkësive të margjinalizuara, sidomos të pakicave gjinore dhe seksuale.

1.5. Respektimi selektiv i të drejtave të njeriut në nivel lokal

Më 12 maj 2010, në hapje të punëtorisë kushtuar komunave Haraçinë dhe Qendra Zhupë, përfaqësuesit e administratës dhe këshilltarët e Komunës së Haraçinës refuzuan të merrnin pjesë dhe të kishin çfarëdo pjesëmarrje të mëtejshme po qe se prezantimet e të njëjtave bëheshin në gjuhën maqedonase, edhe pse me këtë rast të gjitha materialet e duhura për nevojat e punëtorisë ishin siguruar në gjuhën shqipe, ishte mundësuar ndërprerja dhe përkthimi në gjuhën shqipe sipas nevojës, në drejtim të shpjegimit të mëtejshëm të termave dhe ishte arritur marrëveshja që diskutimin ta zhvillonin në gjuhën shqipe.

Edhe përkundër përpjekjeve të përfaqësuesve të Komitetit të Helsinkit për të gjetur zgjidhjen për të vazhduar punëtorinë, si dhe krahas ndërmendjes se duhej të na bashkoheshin edhe përfaqësuesit nga komuna Qendra Zhupë, të cilët nuk e përdorin gjuhën shqipe, përfaqësuesit nga komuna e Haraçinës shkuan dhe e lëshuan sallën, duke thyer të drejtat e përfaqësuesve të Komitetit të Helsinkit që ta bëjnë punën e tyre në gjuhën që e kuptojnë dhe njëkohësisht që është gjuha e parë zyrtare në Republikën e Maqedonisë.

Keqpërdorimin e këtillë të vrazhdtë të parimit të të drejtave të njeriut dhe mohimin e së drejtës së tjetrit Komiteti i Helsinkit e dënon shumë ashpër, ndërsa veprimin e përfaqësuesve nga komuna e Haraçinës e konsideron si hap simptomatik, i cili jo vetëm që është në kundërshtim me parimin e të drejtave të njeriut, por është në kundërshtim edhe me të drejtën pozitive të vlefshme në Republikën e Maqedonisë, për të cilën gjë Komiteti i Helsinkit do t’i drejtojë notë proteste Kryetarit të Komunës. Me këtë rast duam të rikujtojmë nenin 1 të Deklaratës universale për të drejtat e njeriut ku theksohet: “Të gjitha qeniet njerëzore janë të lindura të lira dhe të barabarta në dinjitet e të drejta”.

Komiteti i Helsinkit dëshiron të sjellë ndër mend se, edhe pse është organizatë joqeveritare, shoqatë e formuar qytetarësh, nuk është organ shtetëror dhe ligjërisht nuk obligohet të sigurojë përdorimin dhe aplikimin e gjuhës që e flasin më së paku 20 % e qytetarëve të RM, megjithatë përfaqësuesve të komunës së Haraçinës, e cila ka shumicë shqiptare të popullsisë, më 12 maj 2010 iu plotësuan të gjitha kushtet dhe mundësitë për vazhdimin dhe mbajtjen e punëtorisë.  

E drejta e përdorimit të gjuhëve është rregulluar në mënyrë strikte në legjislacionin vendor, edhe atë në nenin 7 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë dhe në Amendamentin V të Kushtetutës (Në tërë territorin në Republikën e Maqedonisë gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. Cilido qytetar që jeton në njësitë e vetëqeverisjes lokale ku më së paku 20 % e qytetarëve flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase, në komunikim me njësitë rajonale të ministrive mund të përdorë cilëndo prej gjuhëve zyrtare dhe alfabetin e tyre.) dhe nenin 2 të Ligjit për përdorimin e gjuhës që e flasin më së paku 20 % e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë dhe në njësitë e vetëqeverisjes lokale (Në organet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë mund të shfrytëzohet edhe gjuha zyrtare e ndryshme nga gjuha maqedonase në pajtim me këtë ligj.). Me legjislacionin që u përmend më lart parashihet përdorimi i gjuhës të cilën e flasin më së paku 20 % e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë, edhe atë në:

- evidencat zyrtare, gjatë procesit të lëshimit të dokumenteve personale,

- në njësitë e vetëqeverisjes lokale,

- në komunikim me ministritë dhe njësitë rajonale të ministrive dhe në organet e pushtetit shtetëror,

- në procedurat gjyqësore,

- në mbledhjet plenare të Kuvendit të RM dhe

- gjatë shpalljes së ligjeve dhe akteve.

Komiteti i Helsinkit dëshiron të ndër mend se këto politika përjashtuese çojnë drejt ndarjes e jo drejt bashkëjetesës, liritë dhe të drejta e secilit mbarojnë në kufijtë e të drejtave dhe lirive të tjetrit. Ky është shembull dëshpërues që tregon se si aplikohen dhe si praktikohen të drejtat e njeriut në nivel lokal dhe, edhe një herë i ndërmend përfaqësuesit e njësive të vetëqeverisjes lokale se gjatë punës së tyre duhet ta kenë parasysh urtinë popullore “Sillu me të tjerët ashtu siç dëshiron që të tjerët të sillen me ty”.

Kontekst:

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut i Republikës së Maqedonisë fitoi leje dhe mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian përmes programit Progres për projektin “Aplikimi i indikatorëve për të matur diskriminimin në nivel lokal (përmes informacioneve, edukimit dhe indikatorëve për matje)”. Partner i involvuar në kryerjen e projektit gjithashtu është edhe Sektori për Mundësi të Barabarta në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale.

Projekti niset nga premisa e mbështetjes dhe ndihmës në funksionimin e shtetit ligjor, zbatimin e ligjeve dhe barazisë së të gjithëve përpara ligjit.  Interes i veçantë i projektit janë politikat dhe praktikat e trajtimit dhe mundësive të barabarta për të gjithë personat në Republikën e Maqedonisë, në dritën e implementimit të disa ligjeve, e me theks të veçantë të Ligjit për mundësi të barabarta për meshkujt dhe femrat (2006) dhe të Ligjit për pengim dhe mbrojtje nga diskriminimi, i cili u nxor gjatë prillit të vitit 2010. Indikatorët për matjen dhe ndjekjen e diskriminimit në nivel lokal kanë për qëllim që t’u mundësojnë praktikuesve, administratës komunale dhe Këshillit që me strukturat e veta të sigurojnë krijimin dhe zbatimin e politikave, masave dhe qasjeve me të cilat do të kapërcehen problemet me diskriminimin përmes inkluzionit dhe participimit në segmente të ndryshme të bashkësisë lokale. 

Si mbindërtim të këtij projekti, nga fillimi i shkurtit Komiteti i Helsinkit filloi të realizojë edhe një projekt mbështetur nga programi Civika mobilitas: “Përgatitja dhe testimi i instrumenteve për ndjekjen e alokacioneve dhe harxhimeve buxhetore në nivel lokal përmes qasjes me mbështetje në respektimin e të drejtave të njeriut”. Qëllimi i përgjithshëm i projektit është që përmes analizës të njihen problemet dhe paqartësitë që i kanë qytetarët në lidhje me buxhetet në nivel qendror dhe lokal dhe t’u jepen instrumente dhe drejtime qytetarëve për përgatitjen e analizës buxhetore nga aspekti i të drejtave të njeriut, si dhe pjesëmarrje të tyre në krijimin e politikave lokale përmes pjesëmarrjes në procesin buxhetor.

Komunat si partnerë kryesorë në projekt në periudhën shkurt – prill 2010 u ftuan që të marrin pjesë në bashkëpunim përmes nënshkrimit të Memorandumit për bashkëpunim, si dhe përmes plotësimit të Pyetësorit nga ana e përfaqësuesve të administratës dhe këshilltarëve të Këshillave Komunale.

Komuna e Haraçinës, si dhe 62 nga gjithsej 84 NJVL, i hyri nënshkrimit të Memorandumit për bashkëpunim dhe plotësimit të Pyetësorit.  

2.RASTE POLICIE DHE GJYQËSIE

2.1. Domosdoshmëria e caktimit të masës paraburgim – Rasti Bashkim Ali

Përmes kërkesës së dorëzuar me shkrim, Komiteti i Helsinkit ishte njoftuar se Bashkim Ali-u më 25 nëntor 2009 ishte privuar nga liria. Pasi ishte ndaluar 24 orë në polici, atij i ishte caktuar masa paraburgim konform nenit 199 paragrafi 1 pikët 1 dhe 3[9] të LPP. Të nesërmen kundër Ali-ut Gjykata Themelore Shkupi 1 – Shkup, gjykatësi hetues, ka marrë Vendim për ngritjen e hetimeve për veprën e kryer penale “Prodhim dhe lëshim i palejuar në qarkullim i drogave narkotike, substancave psikotrope dhe i stërlëngjeve të tyre” konform nenit 215 paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1 të KP.

Nga momenti i caktimit të masës paraburgim, të dyshuarit/të akuzuarit Ali e njëjta i është vazhduar për çdo muaj[10] nga ana e Këshillit penal në Njësinë e kriminalitetit dhe korrupsionit të organizuar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 – Shkup me arsyetim plotësisht të njëjtë pas dorëzimit të propozimit nga ana e gjykatësit hetues.

Më 19 shkurt 2010, Prokuroria Publike Themelore për ndjekjen e kriminalitetit dhe korrupsionit të organizuar ngre aktin e akuzës. Pas ngritjes së aktit të akuzës Këshilli penal përsëri e miraton propozimin për vazhdimin e masës paraburgim me arsyetimin krejtësisht të njëjtë copy-paste si dhe në vendimet e mëparshme, me ndërmendje se “Ende ekzistojnë shkaqet për shqiptimin e masës paraburgim”, pa pasur me këtë rast arsyetim të bazuar dhe juridikisht të qëndrueshëm.

Këshilli penal në Gjykatën Themelore Shkupi 1 – Shkup vazhdimisht ia ka caktuar masën paraburgim të akuzuarit Ali (normalisht, edhe të akuzuarve të tjerë) vetëm me vazhdim formal të vendimeve për shqiptimin e masës paraburgim dhe me ndërmendjen se janë plotësuar kushtet e parapara në Ligjin për procedurë penale neni 199 paragrafi 1 pikët 1 dhe 3 të LPP, pa u lëshuar në shpjegimin më të gjerë dhe formal të të njëjtave.

Masa paraburgim, si masë më e rëndë për të siguruar praninë e të akuzuarit në procedurën penale, është e rregulluar me Ligjin e procedurës penale[11]. Që nga viti 2006, po edhe në vitet në vazhdim, Komiteti i Helsinkit në vazhdimësi ka ndërmendur nevojën e respektimit të standardeve nga ana e pushteteve gjyqësore në përdorimin e paraburgimit si mjet për të siguruar praninë e personave të akuzuar, e cila në të njëjtën kohë paraqet masën e fundit që aplikohet po qe se qëllimi nuk arrihet me masë më të butë[12] . Për fat të keq, përmes këtij rasti u tregua praktika se organet gjyqësore edhe më tej kanë vazhduar ta keqpërdorin masën paraburgim sipas mënyrës që e shfrytëzojnë si masë të domosdoshme për të siguruar praninë e të akuzuarit në procedurën penale.

Ky qëndrim i keqpërdorimit të masës paraburgim në disa herë është kritikuar nga ana e Komitetit të Helsinkit, i cili përmes raporteve mujore u ka bërë apel organeve gjyqësore që t’i marrin parasysh masat alternative barabarësisht sikurse paraburgimin, duke marrë parasysh faktin se ato po ashtu e sigurojnë praninë, pa e dënuar të akuzuarin, duke mos harruar me këtë rast dhe prezumpcionin e pafajësisë si parim kushtetues[13].

Komiteti i Helsinkit konsideron se sidomos kur vendoset për kufizimin e lirisë së individit, gjatë caktimit ose vazhdimit të masës paraburgim duhet pasur kujdes dhe ajo të bëhet nga shkaqe relevante juridikisht të qëndrueshme dhe të arsyetueshme, sikurse dhe për veprimin urgjent, për shkak se fjala është për një të drejtë themeltare të të drejtave të njeriut.

Komiteti i Helsinkit fton që masa paraburgim të ketë aplikim adekuat, të njëjtë dhe ligjor, duke trimëruar dhe ftuar organet gjyqësore që të përdorin masa të tjera gjegjëse të sigurimit, krejt me qëllim që të mos nëpërkëmben të drejtat e njeriut dhe të mos preket dinjiteti i personit.

2.2. Paralajmërime të forta për hetim, ndërsa rezultate s’ka – Rasti S.M.

Në mediat ditore qe dhënë lajmi se kah fundi i marsit të vitit 2009 kishte bërë vetëvrasje një i dënuar në burgun në T., kontribut ky normalisht i ndjekur me spekulime/insinuata se i dënuari ndoshta është rrahur.

Për të kuptuar të vërtetën dhe rrjedhën e marrjes së masave dhe të veprimeve nga ana e organeve shtetërore kompetente, Komiteti i Helsinkit i bëri një korrespondencë Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, përmes së cilës ishte kërkuar që të na lejohej të bënim vizitë. Vizita u krye gjatë muajit prill të vitit 2009, me ç’rast u zhvillua një takim me drejtorin e burgut në T. Nga ana e drejtorit ishim njoftuar me punët e përgjithshme të burgut, ndërsa për rastin konkret vetëm na tha se i dënuari ishte pranuar para një dite dhe kurrgjë më tepër. Paralajmëroi se pret të kryhen hetimet, që të jepet konkluzioni.

Gjatë muajit qershor të vitit 2009 përsëri pati një korrespondencë me burgun dhe me Drejtorinë për Ekzekutimin e Sanksioneve, me kërkesë që të njoftohemi me përfundimin e hetimeve. Më 1 shtator 2009 është pranuar përgjigjja nga ana e burgut në T., me të cilën na lajmërojnë se hetimet ende vazhdojnë dhe se ato udhëhiqen nga Gjykata Themelore në Tetovë.

Në fillim të vitit përfaqësues të Komitetit të Helsinkit i bënë një vizitë burgut, me ç’rast përsëri u interesuan për përfundimin e procedurës hetimore, me ç‘rast përsëri morën përgjigje se nuk kanë përgjigje kthyese nga ana e gjyqit.

Më 4 mars 2010 përsëri ka pasur korrespondencë me burgun në T., me pyetje se deri ku kanë arritur hetimet dhe a ka marrë përfundimisht institucioni i burgut përgjigje nga gjykatësi hetues. Më 5 maj 2010 është marrë përgjigjja, me të cilën na njoftojnë se – “nga ana e Gjykatës Themelore në Tetovë me njoftimin e 28 gushtit 2009 jemi njoftuar se nga ana e tyre PPTH-Tetovë i është dorëzuar procesverbali dhe foto-albumi nga këqyrja e bërë në vendngjarje, megjithatë PPTH nuk ka dorëzuar kërkesë për ngritjen e hetimeve as propozim për ndërmarrjen e veprimeve hetimore, kështu që në këtë gjyq nuk zhvillohen hetime as veprime hetimore në lidhje me vdekjen e të ndjerit S.M.”.

Komiteti i Helsinkit, por edhe i tërë opinioni publik, ende i kujton paralajmërimet e kompetentëve se hetime do të zhvillohen, se përgjigje do të jepen, se opinioni publik do të njoftohet dhe paralajmërime të ngjashme pompoze, mirëpo pas një periudhe të caktuar kohore Drejtoria nuk bëzan dhe gjithçka mbetet me premtimet e dhëna. Që do të thotë heshtje, sikurse dhe për çdo të dytin rast.

Pas një viti të plotë gjerdisjeje, me një njoftim të shkurtër na është bërë e ditur se “në gjyq nuk udhëhiqen hetime në lidhje me vdekjen e të burgosurit të ndjerë”, pa të dhëna të përpikëta se a janë zhvilluar përgjithësisht hetime, si kanë mbaruar ato, cili është konkluzioni dhe a janë njoftuar prindërit në lidhje me to (po qe se përgjithësisht ato kanë ekzistuar).

Edhe pse qysh gjatë përgjigjeve të para dorëzuar nga ana e burgut, si dhe gjatë vizitave të kryera, drejtori ka pasur njohuri se “nuk zhvillohen hetime nga ana e këtij gjyqi, as veprime hetimore, në lidhje me vdekjen e të ndjerit S.M.”, megjithatë kjo e dhënë fshihej dhe ishte e paarritshme për Komitetin.

Komiteti i Helsinkit fton prindërit dhe përfaqësuesit e tyre nëse ata nuk janë të njoftuar në mënyrë përkatëse për masat dhe veprimet e ndërmarra nga ana e organeve shtetërore (PPTH dhe Gjyqi) të mos e lënë rastin të vendnumërojë dhe të mbyllet me një njoftim të shkurtër, por të aplikojnë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg për shkeljen e nenit 3[14] të Konventës evropiane për të drejtat e njeriut – në pjesën për hetime të kryera në mënyrë joefikase.

2.3.Arsyetime të paqëndrueshme juridikisht dhe veprime kokë më vete të policisë – Rasti Dragi Trajkovski, Gjevgjeli

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut i Republikës së Maqedonisë  nga ana e z. Dragi Trajkovski nga Gjevgjelia është njoftuar se më 18 nëntor 2009 nga dy pjesëtarë të policisë, të punësuar në Stacionin e policisë Gjevgjeli, është ndaluar dhe është shoqëruar në Gjykatën Themelore Gjevgjeli, me urdhëresë gjoja të shpallur nga ana e Gjykatës Themelore Gjevgjeli. I njëjti menjëherë ka kërkuar kopje nga gjoja urdhëresa, por për fat të keq pjesëtarët e policisë i janë përgjigjur se nuk mund t’i japin kopje të urdhëresës. Ndalimi dhe shoqërimi janë kryer dhe i njëjti është shoqëruar në Gjykatën Themelore Gjevgjeli. Para se të dilte nga gjyqi z. Trajkovski përsëri u kishte kërkuar kopje të urdhëresës për shoqërimin e dhunshëm të pjesëtarëve të policisë, mirëpo përësi kishte marrë përgjigje negative. Pastaj kishte shkuar në hapësirat e stacionit të policisë, ku i kishin thënë të jepte kërkesë me shkrim, të cilën gjë edhe e kishte bërë.

Më 26 nëntor 2009 kishte marrë njoftimin se “nëpunësit e policisë në lidhje me shoqërimin sipas urdhëresës gjyqësore të Gjykatës Themelore Gjevgjeli kanë vepruar konform akteve ligjore”.  Dhe,  kaq.

Komiteti i Helsinkit iu drejtua Stacionit të policisë në Gjevgjeli dhe kërkoi të njihej me shkaqet se përse nuk i është dhënë kopja/ekzemplari i urdhëresës për shoqërimin e tij të dhunshëm, që është në kundërshtim me nenin 187 paragrafi 4[15] të LPP.

Më 11 maj 2010 është marrë përgjigje nga SP Gjevgjeli, me njoftimin se “konform urdhëresës së Gjykatës Themelore Gjevgjeli nëpunësit e policisë kanë vepruar, e kanë shoqëruar z. Trajkovski deri në Gjyq, i cili njëherit edhe iu dorëzua gjykatësit. Para se të shoqërohej,  i është paraqitur urdhëresa e nxjerrë nga ana e GJTH Gjevgjeli dhe me të njëjtën është njoftuar dhe i është dhënë për ta parë”. Më tej në njoftim theksohet:  “Meqë personi në fjalë është i njohur për Shërbimin, të njëjtit nuk i është dhënë urdhëresa konform Ligjit për policinë, neni 46 paragrafi 4”. Çudi! Shih e mos e beso!

Askush nuk e konteston faktin se ka pasur urdhëresë, as z. Trajkovski realizimin e saj, qetë ka vepruar mbi bazë të saj, mirëpo problematike është ajo që z. Trajkovski nuk i është dhënë kopja e urdhëresës, me të cilën organet shtetërore (SP Gjevgjeli) kanë qenë të obliguara konform Ligjit për policinë dhe Ligjit të procedurës penale.

Komiteti i Helsinkit sjell ndër mend se në të drejtën pozitive nuk është paraparë kategoria njihemi, as lejohet veprimi arbitrar i personave zyrtarë. A njihet a s’njihet ndokush nga policia, nuk është faktor vendimtar për t’ia nxjerrë përpara urdhëresën, por a ka bazë dyshimi se personi do të ofrojë rezistencë ose i akzuari do të kundërshtojë, kështu që do të shoqërohet dhunshëm, që nuk korrespondon me rastin konkret.

Komiteti i Helsinkit konsideron se në rastin konkret ka mosrespektim të rregullativës ligjore parashikuar me Ligjin e procedurës penale dhe Ligjin për policinë.

2.4. Këshilli Gjyqësor realitet apo fiksion – Rasti Radevski Aleksandar

Gjykata Komunale në Berovë, duke vendosur për trashëgiminë e të ndjerit R.A., merr vendim me të cilin si trashëgimtarë shpall djemtë e tij R. Q. në 2/3 dhe Radevski Aleksandar 1/3 në pasurinë e paluajtshme shtëpi, oborr, kopsht pemësh dhe ara, të theksuara në vendim.

Pala Radevski Aleksandar na njoftoi se pas vdekjes së të vëllait R. Q. Gjykata Komunale në Berovë shpall si trashëgimtarë të bijën e tij S.J.,  së cilës i takon një pjesë e shtëpisë “një dhomë në kat nga ana veriore” dhe të birin e tij R. S.,  të cilit i takon pasuria e luajtshme e regjistruar në mënyrë të detajuar në vendimin trashëgues dhe 2/3 e shtëpisë, oborri dhe kopshti i pemëve. Mbi bazë të kërkesës për të bërë korrigjimin e vendimit, dorëzuar Gjykatës Themelore Berovë, Gjyqi merr vendim me të cilin bëhet korrigjimi në Dispozitivin e vendimit, ashtu që në pjesën ku përshkruhet prona e paluajtshme e trashëgimtares S.J. shtohet “1/3 pjesë ideale e shtëpisë”, e cila mbi bazë të fletëpronësisë lëshuar nga Drejtoria Gjeodete Komunale Berovë i takon Aleksandar Radevskit. Mbi bazë të këtij korrigjimi të kryer në vendimin trashëgues, Enti Shtetëror për Çështje Gjeodete, Seksioni i Matjeve dhe Kadastrës,  bën ndryshimin, përkatësisht pjesa prej 1/3 mbi objektet në pronësi të Aleksandar Radevskit regjistrohet në pronësi të S.J., akt ky i cili në kundërshtim me dispozitat ligjore e merr pronën në pronësi të palës Aleksandar Radevski. Procedura e këtillë është në kundërshtim me nenin 128 par. 8 të Ligjit të procedurës jashtëkontestimore, i cili është i qartë dhe flet për mundësinë e korrigjimit me karakter formal, por jo edhe për korrigjime që e ndryshojnë thelbin e vendimit.

Komiteti i Helsinkit iu drejtua Kryetarit të Gjykatës Themelore në Berovë, i cili na njoftoi se “pala gjatë çdo ndërrimi të Këshillit Gjyqësor dorëzon parashtresë me përmbajtje të njëjtë ose të ngjashme për të njëjtën lëndë trashëgimore, pas së cilës korrigjimin e ka bërë gjykatësi F. K.”

I pakënaqur nga ky arsyetim, i cili definitivisht nuk përbën përgjigjen në pyetjet e shtruara, as që shkon në drejtim të mbrojtjes së të drejtës mbi pronën të mbrojtura me Kushtetutë dhe me Ligjin mbi pronësinë dhe të drejtat tjera lëndore, Komiteti i Helsinkit kërkoi që të ndërmerren veprime konkrete,  në këtë rast nga ana e Këshillit Gjyqësor, kundër gjykatëses F. K.

Njoftimi i Këshillit Gjyqësor me rastin e dorëzimit të parashtresës nga ana jonë, përmban deklaratën/arsyetimin e cituar më lart të kryetarit të Gjykatës Themelore Berovë dhe na njofton se në rastin konkret nuk janë gjetur elemente përgjegjësie për joprofesionalizëm dhe për veprim të pandërgjegjshëm të gjykatësit gjatë kryerjes së funksionit gjyqësor.

Nga ana tjetër, ndërkaq, Këshilli Gjyqësor i Republikës së Maqedonisë publikisht shpall vendimin për shkarkimin e gjykatësit S.S. nga Gjykata Themelore Shkupi 1 – Shkup për shkak të kryerjes joprofesionale dhe të pandërgjegjshme të funksionit gjyqësor. Veprimet e ndërmarra të gjykatësit në rastin konkret (të arsyetuara në vendim), të cilat janë bazë për ngritjen e procedurës për punë të pandërgjegjshme dhe joprofesionale, në tërësi ngjajnë me veprimet në rastin Aleksandar Radevski. Në arsyetimin e vendimit është theksuar “në rastin konkret, korrigjimet e bëra nuk kanë të bëjnë me gabime të dukshme tek emrat dhe numrat ose në gabimet e dukshme gjatë shkrimit dhe njehsimit, përkundrazi,  është bërë korrigjim në lëndën ekzekutuese në një varg parcelash dhe numrash të fletëpronësive...gjykatësi ka ndryshuar tërë dispozitivin...Me këtë rast, Këshilli në të dy lëndët ka konstatuar kryerje joprofesionale dhe të pandërgjegjshme të funksionit gjyqësor nga ana e gjykatësit S.S. nga S., duke keqpërdorur pozitën ose duke tejkaluar autorizimet zyrtare sipas nenit 75 paragrafi 1 alineja 8 të Ligjit për gjykatat”.

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut gjatë vitit 2007 disa herë ka sjellë ndër mend Standardet e dyfishta të vendosjes të Këshillit Gjyqësor, qasjes selektive gjatë vendosjes në lidhje me lëndët dhe moshulumtimi i pandehmave në parashtresat e dorëzuara. Ashiqare,  praktika e mbajtjes anë, e selektimit dhe rrënimit të sigurisë juridike mbi bazë të Sundimit të së drejtës nga ana e organit i cili deklarohet si i mëvetësishëm dhe i pavarur,  edhe më tej vazhdon.

Komiteti i Helsinkit konsideron se veprimi i këtillë i Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë është i papranueshëm, në kundërshtim me kompetencat e tij të deleguara me Kushtetutë dhe Ligje. E njëjta çon drejt rrënimit të postulatit për barabarësi të qytetarëve përpara Kushtetutës dhe ligjeve dhe e rrënon besimin e tyre në sistemin e pavarur gjyqësor. 

--------------------------------------------------------------------------------

[1] Neni 72 i Propozim-ndryshimeve të Ligjit për komunikime elektronike (paragrafi 7 i ri i nenit 112 të Ligjit)

[2] Neni 72 I Propozim-ndryshimeve të Ligjit për komunikime elektronike (paragrafi 8 i ri i nenit 112 të Ligjit)

[3] Neni 73 i Propozim-ndryshimeve të Ligjit për komunikime elektronike (paragrafi 8 i ri në nenin 114 të Ligjit)

[4] Komentet në tërësi mund të gjenden në faqen e internetit të Komitetit www.mhc.org.mk 

[5] Neni 78 i Rregullores për kryerjen e punëve të policisë

[6]  http://www.mhc.org.mk/WBStorage/Files/Pravata%20na%20deteto%20-%20mk.pdf

[7]  http://apps.who.int/classifications/apps/icd/icd10online/

[8]  Marija Kostova, Aneta Barakovska dhe Eli Makazlieva (red.), Pedagogji për vitin e tretë gjimnaz, lëndë zgjedhore, Prosvetno dello, Shkup, 2005; Temkov Kiril, Etika për vitin e dytë gjimnaz, Prosvetno dello, Shkup, 2004; Çadllovski Georgi, Psikiatri (Prosvetno dello, Shkup, 2004); Shkariq Ollga, Psikologji zhvillimore (Fakulteti Filozofik, Shkup, 2004).

[9]  Neni 199 – Ligji i procedurës penale

Nëse ka dyshim të bazuar se personi i caktuar ka kryer vepër penale, paraburgim atij personi mund t’I caktohet nëse:

1) fshihet, nëse nuk mund të përcaktohet identiteti I tij ose nëse ka rrethana të tjera që sjellin ndër mend rrezikun e ikjes;

3) rrethanat e veçanta e arsyetojnë frikën se ai do ta përsërit veprën penale, ose do t’i japë fund veprës penale të mbetur në tentativë ose do të kryejë vepër penale me të cilën kërcënohet.

[10]  Më 24.12.2009, më 22.01.2010 dhe më 22.02.2010, por tani si i akuzuar, pas ngritjes së aktit të akuzës. 

[11]  Nenet 198 deri 208 të Ligjit të procedurës penale.

[12]  Neni 185 I Ligjit të procedurës penale

Masat që mund të ndërmerren ndaj të akuzuarit për të siguruar praninë e tij dhe për udhëheqje me sukses të procedurës penale janë ftesa, shoqërimi, premtimi i të akuzuarit se nuk do ta braktis vendqëndrimin,  përkatësisht vendbaninim dhe masa të tjera preventive, me të cilat sigurohet prania e të akuzuarit, garancia, paraburgimi në kushte shtëpie dhe paraburgimi.

[13]  Neni 13 – Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë

Personi I akuzuar për vepër të dënueshme do të konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij nuk përcaktohet me vendim të prerë gjyqësor.

[14]  Neni 3 – Ndalohet mundimi

Askush nuk mund t’i nënshtrohet mundimit, veprimit  ose dënimit jonjerëzor a përçmues.

[15]  Ligji i procedurës penale

Personi që ka marrë përsipër realizimin e urdhëresës ia dorëzon urdhëresën të akuzuarit dhe e fton të shkojë me të.  Po qe se i akuzuari e refuzon këtë, do ta shoqërojë dhunshëm.


Twitter Facebook
Normal_banner-free-sq Normal___________alb Normal_banner-lgbti Normal_banner-ws-sq Normal_screenshot_2017-10-24_13.29.57