Corner Raporte

Raport mujor për të drejtat e njeriut në Republikën e Maqedonisë 10 Maj 2009

Prill 2009

1. NGARJE PUBLIKE DHE SHKELJE TË PARIMEVE DEMOKRATIKE

1.1. Qeveri për ÇDO GJË...

1.2. Gjyqësia (sërish) u rrëzua në provimin e pavarësisë

1.3. Nepotizëm ose ?!

1.4. Beneficionet e shlyera për fëmijë të dytë dhe të katërt

2. SHKELJE E TË DREJTAVE EKONOMIKE DHE SOCIALE

2.1. Rasti Nderim Mamuti dhe të tjerët, Shkup

2.2. Vallë a ekziston përgjegjësi për veprimin joligjor – rasti Çerdhja e fëmijëve “Bambi” - Makedonska Kamenica

3. RASTE POLICORE DHE GJYQËSORE

3.1. Liria e të shprehurit nëpër labirintet gjyqësore të Maqedonisë – rasti Mençe Atanasova – Toçi.

-----------------------------------------------------------------------------------

1. NGjARJE PUBLIKE DHE SHKELJE TË PARIMEVE DEMOKRATIKE

1.1. Qeveri për ÇDO GJË...

       Gjatë muajve të kaluara, Qeveria jonë u përpoq të demonstrojë se është e aftë të punojë në të gjitha lëmit dhe se e njëjta nuk e paraqet vetëm pushtetin ekzekutiv në shtet, por edhe pushtetin gjyqësor, organin më të rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

       Në raportet mujore për korrik – gusht të vitit 2008, Komiteti i Helsinkit vuri në pah se Ministria e drejtësisë dhe Qeveria kërcënohen me sanksione dhe aktpadi penale, për hir të të vërtetës në emër të Këshillit Gjyqësor dhe qytetarëve[1].

       Hapat e këtilla, përfshirë aty edhe deklarimet për listat e zeza të gjykatësve të cilat i bën Qeveria, rishqyrtimi i vendimeve të caktuara të plotfuqishme gjyqësore në seancat qeveritare, dhënia e rekomandimeve Këshillit gjyqësor për marrjen e masave për përgjegjësi të gjykatësve, është vetëm dëshmi se tek ne me vetëdije injorohet domethënia e vërtetë e sundimit të drejtësisë. Presioni politik mbi gjyqësinë nga ana e pushtetit ekzekutiv nuk mund të shpjegohet ndryshe, e kjo është në kundërshtim me vlerën themelore kushtetuese – ndarjen e pushtetit.

       Qeveria jonë, për fat të keq, vazhdon në atë drejtim. Tani lëshoi dorën edhe mbi pushtetin ligjdhënës duke u përzier në ingerencat e Kuvendit. Mediat e plasuan lajmin se në seancën qeveritare në datën 25 prill të vitit 2009 Qeveria e ka shqyrtuar dhe ka përgatitur mendim të vetin me të cilin pozitivisht e ka vlerësuar punën e Këshillit gjyqësor për vitin 2008, e përveç kësaj i ka vënë në pah Këshillit Gjyqësor se duhet të ndërmarrë masa për barazimin e politikës ndëshkimore të cilën e zbatojnë gjykatat në Maqedoni dhe tërë këtë ja ka dërguar parlamentit. Kjo ka ndodhur, pa marrë parasysh se Ligji për Këshillin Gjyqësor është eksplicit[2].

       Krijimi i Këshillit Gjyqësor si organ vetanak dhe i pavarur është pjesë qenësore e reformave në gjyqësinë me të cilat duhet të tejkalohej ndikesa politike mbi gjyqësinë. Me këtë u tejkalua gjendja e mëparshme që Kuvendi t’i zgjedh gjykatësit. Tani gjykatësit do të duhej të zgjedhen dhe të shkarkohen nga vetë gjykatësit, si garantues të pavarësisë gjyqësore. Në atë drejtim është edhe përcaktimi se në Këshillin Gjyqësor Ministri i drejtësisë është anëtar në sajë të detyrimit zyrtar, si dhe përcaktimi se tre anëtarë të Këshillit i propozon Kuvendi, ndërsa dy anëtarë Presidenti i RM. Së këndejmi, Qeveria nuk ka kurrfarë kompetenca kur bëhet fjalë për pushtetin gjyqësor. Kuvendi është i vetmi organ kompetent për vlerësimin e raporteve të punës, si lloj i kontrollit të Këshillit.

       Për fat të keq edhe përkundër insistimit për gjyqësi të pavarur, efikase dhe të pa anshme, edhe përkundër numrit të madh të dispozitave ligjore që e proklamojnë të njëjtën, Qeveria vihet në funksion edhe të pushtetit ligjdhënës edhe të atij gjyqësor, kështu që e pyesim veten çka do të kishte ndodhur nëse në seancën nuk do ishte aprovuar vlerësimi pozitiv për punën e Këshillit Gjyqësor – a do të ndërmerrte diçka dhe çka do të ndërmerrte Qeveria jonë?

       Edhe më habitësh është heshtja e gjykatësve dhe të të gjithë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor dhe heshtja e deputetëve të Kuvendit, për shkak se dikush tjetër përpiqet t’i zbatojë punët nga kompetenca e tyre.

Komiteti i Helsinkit shfaq keqardhje për përparimin e këtillë të reformave në gjyqësinë në pajtim me Strategjinë për reformë të sistemit gjyqësor dhe Planin Aksionar për zbatimin e Strategjisë, posaçërisht që “përparimi” i këtillë e sjell në varësi të plotë zbatimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në politikën. Patjetër duhet të pranojmë se përparimi nuk do të thotë vetëm një varg i pasur i ligjeve të miratuara në mënyrë të përshpejtuar pa debat publik, por implementim konsekuent dhe i suksesshëm i të njëjtëve, me qëllim që qytetarët më në fund të jenë të sigurt se mund ta kënaqin drejtësinë para organeve gjyqësore të pavarura, të pa anshme, azhure dhe efikase, si stadium përfundimtar në rrugën drejtë realizimit të të drejtave të tyre.

1.2. Gjyqësia (sërish) u rrëzua në provimin e pavarësisë

       Në 21 prill opinioni i Maqedonisë ishte i informuar se Maqedonia sërish do të paditet para gjykatës ndërkombëtare të arbitrazhit. Kësaj radhe arbitrazhi ndërkombëtar është në Uashington. Pse pikërisht në Uashington dhe çka në realitet do të thotë arbitrazhi i Uashingtonit. Gjykatësi arbitër[3] ka sqaruar se Gjykata ndërkombëtare e Uashingtonit është organ shumë i rëndësishëm për shkak se siguron mekanizëm i cili e ka fuqinë e përmbarimit të cilit do qoftë vendim arbitrar kundër një vendi poqese i njëjti e humb kontestin. Meqë në parim bëhet fjalë për konteste me shuma të mëdha parash, lëndëve ju qaset me vëmendje të madhe dhe me kujdes gjatë shqyrtimit.

       Pse Maqedonia sërish është në rend dite të opinionit ndërkombëtar për fat të keq sipas të keqes? Shkak për aktpadinë e re kundër Maqedonisë para arbitrazhit ndërkombëtar është vendimi gjyqësor i sjellë nga Gjykata Themelore Shkup 2 – Shkup ku ELEM ka hapur kontest gjyqësor kundër EVN Makedonija për pagesë të borxhit. Me aktvendimin e miratuar gjyqësor EVN Makedonija është e obliguar t’i paguajë 93 milion euro ELEM-it plus kamatat ose gjithsej rreth 200 milion euro, kërkesa të vjetruara të cilat datojnë nga viti 1995 deri në vitin 2004.

       ELEM nga njëra anë thonë se borxhi i Elektroekonomisë së Maqedonisë (EEM) ndaj ELEM-it ka qenë i përcaktuar nga konsulenti për privatizim, ndërsa austriakët nga ana tjetër theksojnë se vendimi gjyqësor është skandaloz me arsyetim se bëhet fjalë për borxhe të vjetra të pa paguara nga konsumatorë të paditur, në kohën kur kompania ende ka qenë në pronësi shtetërore, me ç’rast theksohet se gjykata themelore i ka injoruar dëshmitë e propozuara nga ana e tyre. Në dëshmitë e refuzuara ka qenë edhe Aneks marrëveshja dhe mendimi i fakultetit Juridik. Me aneks marrëveshjen praktikisht rregullohet mënyra në të cilën këto kërkesa të vjetra duhet të paguhen dhe të ndahen midis kompanive. Ekzistimi i Aneks marrëveshjes është konfirmuar qysh para dy vitesh në raportin e shtëpisë së pavarur revizore Prays Water House, që është bërë për nevojat e Qeverisë. Në atë kohë revizorët kanë konstatuar se Aneks marrëveshja parashikon se pasi që EVN do t’i inkasojë kërkesat nga konsumatorët, 50 % nga paratë t’i hedh në llogarinë e ELEM-it. Të njëjtën e ka konstatuar edhe eksperti energjetik, i angazhuar dikur nga një firmë e cila i ka ndihmuar Qeverisë së atëhershme në procesin e privatizimit të EEM, i cili për gazetën “Koha” ka deklaruar “Aneksi është i qartë, ky nuk është borxh i EVN-së ndaj ELEM-it, por i konsumatorëve ndaj ELEM-it, ndërsa EVN ka trashëguar obligim që ta inkasojë nga konsumatorët këtë borxh të vjetër. Pasi që qytetarët do ta paguajnë, EVN duhet t’i transferojë ELEM-it 50%.”

       Çilat në realitet janë kërkesat? Kërkesat janë 400.000 konsumatorë të paditur – persona fizik dhe juridik, midis të cilëve sot ka edhe kompani të cilat tanimë nuk ekzistojnë, por edhe persona të vdekur – theksojnë Austriakët.

Nga ana e Austriakëve ishte e paralajmëruar edhe ankesë në procedurën e rregullt në adresë të Gjykatës së apelit në Shkup. EVN njëkohësisht i ka paraqitur parashtresë Këshillit gjyqësor të Republikës së Maqedonisë me qëllim të rishqyrtimit të parregullsive gjatë kontestit gjyqësor të bëra nga gjykatësi.

       Vendimi i sjellë gjyqësor, pa marrë parasysh që ende nuk është i plotfuqishëm, prapëseprapë shkaktoi brengosje të madhe jo vetëm në opinionin vendas por edhe tek disa ambasadorë[4] të cilët drejtë për drejtë e kanë vëzhguar procesin gjyqësor me ç’rast kanë konstatuar brengosje për procedurën dhe parregullsitë. Brengosja drejtë për drejtë i është transmetuar edhe Kryeministrit të Maqedonisë përmes një shkrese në të cilën janë shënuar të gjitha parregullsitë e konstatuara. Në një rast euro ambasadori do të deklarojë “Pavarësia e gjyqësisë është posaçërisht e rëndësishme dhe ne jemi të brengosur rreth zhvillimit të ngjarjeve me EVN, për shkak të mesazhit i cili u dërgohet investitorëve potencial të jashtëm. Prandaj është me rëndësi që ky rast të sqarohet.”

       Nga faktori ndërkombëtar, përmes derës së madhe, Republikës së Maqedonisë i vihet në pah fakti se sistemi gjyqësor që funksionon mirë është njëri nga kriteret kyçe në sajë të të cilave do të vlerësohet gatishmëria e Maqedonisë për qasje të mëtejme ndaj BE. Por, shteti ynë edhe në udhëzimet e këtilla të drejtpërdrejta edhe më tej punon në kokën e vet dhe mbetet i shurdhër, ndërsa BE shkon edhe më larg kështu që paralajmëroi se kontesti midis pushtetit të Maqedonisë dhe EVN do të gjendet në raportin e ardhshëm për përparimin e Maqedonisë.

       Për fat të keq, edhe përkundër vërejtjeve të drejtë për drejta të disa ambasadorëve të huaj se gjykata aq e proklamuar e pavarur në realitet edhe nuk është aq e pavarur siç përshkruhet në kushtetutën dhe në ligjet[5] por drejtë për drejtë është nën ndikesën e pushtetit, gjë e cila në rastin konkret u konfirmua si fakt i saktë.

       Pesha tani është vënë mbi Gjykatën e Apelit Shkup e cila shpresojmë se nuk do të bijë nën ndikesën e pushtetit dhe se do ta përmirësojë gabimin e bërë. Në të kundërtën parashihet edhe një kontest i humbur gjyqësor para arbitrazhit ndërkombëtar, i cili sërish do të paguhet nga vetë qytetarët – të cilët as që kanë faj as që janë borxhli.

       Nga ana tjetër me këtë jepet sinjal shumë i keq për investitorët e ardhshëm potencial në Republikën e Maqedonisë.

Komiteti i Helsinkit konsideron se është kohë e fundit që Qeveria e Republikës së Maqedonisë të mendojë seriozisht dhe të kontribuojë që të vendoset sistem juridik i cili do të jetë i pavarur, transparent, fer dhe i mbrojtur nga ndikesa e pushtetit.

1.3. Nepotizëm ose?!

“Përvojë e përjetshme është se çdo njeri që ka pushtet  ka afinitet ta keqpërdorë; Ai e përhap përderisa nuk has në kufi”                                                                                  

De Monteskje

       De Monteskje, ithtari i njohur i teorisë së ndarjes së pushtetit, përkatësisht krijimit të shtetit bashkëkohor shpesh herë në veprën e vet “Fryma e ligjit” flet për nevojën e ndarjes së pushtetit si mënyrë për zëvendësimin e despotizmit, tiraninë të cilat kanë sunduar në shekullin e 17 dhe 18. Monteskje duke shikuar kah ardhmëria ka qëndruar fuqishëm në qëndrimin se poqese në një njeri bashkohen të gjitha funksionet, atëherë i njëjti njeri do të shpallet si i gjithëfuqishëm e në këtë mënyrë nuk është i mundshëm ekzistimi i “shtetit juridik”. Kjo ide njëkohësisht ka qenë e përkrahur nga disa filozofë.

       Sot Republika e Maqedonisë si shtet demokratik në Kushtetutën e vet[6] ndarjen e pushtetit në atë ligjdhënës, ekzekutiv dhe gjyqësor e trajton si vlerë themelore të rendit kushtetues. Kushtetuta si dhe Ligji për gjykatat flasin për pavarësinë dhe mëvetësinë e gjykatave në veprimin e vet, duke i përcaktuar edhe qëllimet dhe funksionet[7] e pushtetit gjyqësor, sigurimin e sigurisë juridike në sajë të sundimit të së drejtës. Këshilli Gjyqësor me Ligj është i përcaktuar si organ i mëvetësishëm dhe i pavarur i gjyqësisë i cili e garanton mëvetësinë dhe pavarësinë e pushtetit gjyqësor[8].

       Por, reforma në sistemin gjyqësor, përforcimi i pavarësisë dhe përmirësimi i efikasitetit të gjyqësisë është parakusht për hyrje në Bashkimin Evropian, ndërsa gjyqësia jonë duhet në mënyrë të përshpejtuar të lëviz në drejtim të mënjanimit të ndikesës politike.

       Dhe, përderisa drejtimet janë më se të qarta, dispozitat ligjore janë të shkëlqyeshme vetëm në letër, gjendja reale në gjyqësinë është brengosëse. Rasti i gjykatëses së Gjykatës së Apelit e njëkohësisht edhe anëtare e Këshillit Penal në Gjykatën e Apelit në Shkup, Filimena Manevska, ishte shkas për polemika në opinion dhe për hapje të dyshimeve për ndikesën e politikës në gjyqësinë.

       Me një fjalë, në pajtim me informacionet në opinionin të cilat i konfirmoi edhe këshilli gjyqësor, gjykatësja më 8 prill i ka përmbushur kushtet ligjore për pensionim, kështu që në pajtim me Ligjin për gjykata është i përmbushur një nga kushtet për shkarkimin nga funksioni i gjykatësit.

Dhe, siç është rendi, të gjithë prisnin që Këshilli Gjyqësor, pas marrjes së lajmërimit nga Kryetari i Gjykatës së Apelit për përmbushjen e kushteve ligjore për pensionim në rastin Filimena Manevska, të sjell vendim për shkarkimin e gjykatëses nga funksioni i saj. Por, në vend të kësaj, Këshilli Gjyqësor nuk e pa të arsyeshme që këtë pikë ta vë në rend dite me arsyetimin se Këshilli ka “punë më prioritare” se sa shkarkimi i saj. Por, nëse respektimi i Ligjeve nuk është një nga prioritetet në punën e Këshillit Gjyqësor, atëherë është e sigurt se gjyqësia jonë lëviz në drejtim të gabuar!

       Në këtë moment opinioni është në dilemë – mos vallë zvarritja e procedurës për shkarkimin e gjykatëses është dhuratë për ditëlindje ose ky rast është edhe një shembull për ndikesë politike në sistemin gjyqësor dhe “rënie në gjunjë” të organeve gjyqësore para presioneve.

       Kufirin për të cilin ka folur Monteskje para më shumë se dy shekuj në këtë rast me siguri se duhet ta paraqesë Këshilli Gjyqësor, organi i cli mbeti i verbër në kritikat e shumta të drejtuara në llogarinë e tij për inercionin në këtë rast.

       Thelbi i këtij problemi është më i thellë, e nën shenjën e pikëpyetjes vihet edhe legjitimiteti i akt vendimeve gjyqësore të sjella nga gjykatësja e “pensionuar”, duke sjellë në rrënimin e qëllimeve të funksionit të gjykatësit – mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe zbatimi i sigurisë juridike.

Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njërit është i brengosur për shkak të gjendjes në gjyqësi, dhe sinqerisht shpreson se ky rast nuk do të jetë precedencë e cila do të zbatohet në të ardhmen, dhe prapë se prapë beson se Këshilli Gjyqësor më në fund si prioritet në punën e vet do ta merr zbatimin e normave ligjore, në mënyrë të barabartë për të gjithë.

1.4. Beneficionet e shlyera për fëmijë të dytë dhe të katërt

       Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë më 1 prill të vitit 2009 solli vendim (U. Numër: 160/2008-0-1) për shlyerjen e nenit 30-а paragrafi 1 në pjesën: “e cila është me vend të jetës në komuna të Republikës së Maqedonisë me shkallë të shtimit natyror nën 2.1 promil sipas të dhënave statistikore nga Enti Shtetëror për statistikë të Republikës së Maqedonisë të shpallura para dy vitesh nga viti vijues” dhe paragrafi 2 në pjesën: “me vend të përhershëm të jetës prej më së paku tre vjet në komunat nga paragrafi 1 i këtij neni: nga Ligji për mbrojtjen e fëmijëve.

       Gjykata Kushtetuese vlerësoi se “Duke pasur parasysh se në pjesët e theksuara nga paragrafët 1 dhe 2 të nenit 30-a të Ligjit përcaktohet e drejta e shtesës prindërore për fëmijë ta realizojnë vetëm nënat të cilat janë me vend të jetesës në komunat në të cilat shtimi natyror i popullatës është nën 2.1 promil, përkatësisht këtë të drejtë ta realizon vetëm një grup të nënave në kuadër të kufijve të caktuara komunale ose sipas parimit territorial, ato dispozita ligjore nuk vlejnë në mbarë territorin e Republikës së Maqedonisë, krijon mos barazi midis qytetarëve të Republikës së Maqedonisë të cilat janë në pozitë të njejtë përkatësisht kanë fëmijë të dytë, të tretë dhe të katërt, si dhe nuk janë në funksion të mbrojtjes së amësisë dhe të fëmijëve për shkak se nuk kanë të bëjnë me të gjitha nënat dhe fëmijët në shtet”.

       Komiteti i Helsinkit e përshëndet këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë, mirëpo në vend që kjo e drejtë të jetësohet për të gjithë në Republikën e Maqedonisë, Qeveria vlerësoi se nuk ka mundësi të sigurojë kushte për realizimin e stimulimeve të parapara për tërë territorin e shtetit dhe i shleu beneficionet për fëmijë të dytë dhe të katërt. Me këtë u konfirmua se bëhej fjalë vetëm për ad hoc masë e cila pa kurrfarë analize dhe strategjie paraprake nuk kishte mundësi të jetësohet.

       Tani Ministria e punës dhe e politikës sociale deklaron se mendon se çka të bëjë me ato gra që kanë mbetur shtatzëne duke shpresuar se do t’u paguhet pagesa e shtesës për fëmijë të dytë dhe të katërt, me atë që kërkohen mënyra se si edhe atyre t’u mundësohet pagesa e shtesës dhe se si kjo zgjidhje të zbatohet juridikisht.

Komiteti i Helsinkit konsideron se është kohë e fundit që Qeveria t’i ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për ta penguar shkeljen e ardhshme plotësuese të të drejtave të qytetarëve dhe strategjitë e përgatitura në të ardhmen të mbështeten në bazë të analizës paraprake të detajuar dhe profesionale.

2. SHKELJE E TË DREJTAVE EKONOMIKE DHE SOCIALE

2.1. Rasti Nderim Mamuti dhe të tjerët, Shkup

       Komitetit të Helsinkit ju drejtuan Nderim Mamuti, Bujamin Rushiti, Valon Zeqiri, Abdulla Neslihan, Besim Kasami, Arijanit Bexheti, Arsim Ziberi dhe Lavdim Vehapi të gjithë nga Tetova, nëpunës të mëparshëm shtetëror.

       Ata na informuan se në datën 31 korrik të vitit 2007, me Vendim për punësim të nëpunësit shtetëror janë punësuar në Sekretariatin e përgjithshëm të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë si nëpunës shtetëror – praktikantë. Të njëjtin vit, ose më saktë në 28 dhjetor, në sajë të nenit 16 nga Ligji për nëpunës shtetëror, është nënshkruar Marrëveshje për marrje dhe punësim të nëpunësit shtetëror pa shpallje publike midis Ministrisë së financave – Drejtoria për të hyra publike dhe Sekretariatit të përgjithshëm pranë Qeverisë së RM. Me marrëveshjen është vendosur se të gjithë, më lartë të përmendurit, punësohen pa shpallje publike për kohë të pacaktuar në Drejtorinë e të hyrave publike – Drejtoria rajonale Manastir në vendin e punës bashkëpunëtor më i ri – praktikant për punë juridike nga 1 shkurti i vitit 2008.

       Në datën 17 nëntor të vitit 2008 z-ti Mamuti dhe të tjerët paraprakisht të përmendurit kanë marrë Vendim për pushimin e marrëdhënies së punës pa afat pushimi nga puna nr. 04-9279/1 të datës 10 nëntor të vitit 2008. Arsyetimi tek të gjithë është se “nëpunësi nuk e kryen me sukses punën provuese përkatësisht nuk e ka kaluar provimin për fillestarë gjë e cila është kusht për krijimin e marrëdhënies së rregullt të punës”. Vendimi është i nënshkruar nga drejtori i Drejtorisë për të hyra publike, me këshillë juridike se kundër të njëjtit vendim mund të parashtrohet mjeti juridik – parashtresë drejtorit të Drejtorisë së të hyrave publike, në afat prej 8 ditësh nga dita e pranimit të vendimit.

       Z-ti Mamuti dhe të gjithë të tjerët kanë dorëzuar parashtresa në Vendimin e sjellë ku kanë theksuar se atyre nuk u është caktuar punë provuese, kohë e zgjatjes së provimeve, përcjellje dhe vlerësim i udhëheqësit të drejtë për drejtë, e as nga Drejtoria e të hyrave publike u është siguruar trajnim profesional siç është paraparë me nenin 27 paragrafi 1 – 5 i Ligjit për Drejtorinë e të hyrave publike, përkatësisht neni 60 nga Ligji për marrëdhënie pune.

       Njëlloj si edhe gjatë sjelljes së vendimit të shkallës së parë ashtu edhe organi i shkallës së dytë, drejtori i Drejtorisë për të hyra publike e ka refuzuar Parashtresën si të pabazë dhe e ka konfirmuar vendimin për pushim të marrëdhënies së punës së të punësuarve.

       Nga dokumentacioni i parashtruar mund të shihet se të njëjtit nuk janë pranuar në punë provuese, por kanë themeluar marrëdhënie pune në kohë të pacaktuar pa shpallje publike, gjë e cila do të thotë se ata kanë pasur status të të punësuarve, e jo status të personave të punësuar me vendim për punë praktike. Nga ana tjetër në Ligjin për drejtorinë e të hyrave publike nuk është e paraparë mundësia që praktikantit t’i shqiptohet vendim për pushim të marrëdhënies së punës për shkak të mos kalimit të provimit për praktikantë.

       Rregullativa ligjore[9] në nenin 99 paragrafi 2 të Ligjit për marrëdhënie pune thekson se punëdhënësi punëtorit mund t’ia shlyejë marrëveshjen për punësim poqese me vendim të plotfuqishëm ju ndalohet që të kryejnë punë të caktuara nga marrëdhënia e punës ose poqese ju është shqiptuar masë edukative, mbrojtëse ose e sigurisë, për shkak të të cilës nuk mund të kryejnë punë më gjatë se gjashtë muaj ose për shkak të vuajtjes së dënimit me burg do të jenë të detyruar të mungojnë nga puna më tepër se gjashtë muaj; si dhe punëtori i cili nuk do ta kryejë me sukses punën provuese. Vetëm sa për tu rikujtuar është fakti se z-ti Mamuti dhe të gjithë personat tjerë të theksuar nuk kanë themeluar marrëdhënie punë për punë provuese, por marrëdhënie pune për kohë të pa caktuar.

       Komiteti i Helsinkit i dërgoi shkresë Drejtorisë për të hyra publike me ç’rast është kërkuar që të informohemi për shkaqet për të cilat nuk është respektuar korniza ligjore për sjelljen e vendimeve për pushim të marrëdhënies së punës, si dhe në sajë të cilës rregullativë ligjore dhe pse vendimi i shkallës së parë dhe shkallës së dytë janë nënshkruar nga drejtori i Drejtorisë për të hyra publike, me këtë rast duke i pasur dispozitat kushtetuese me të cilat garantohet e drejta për dy shkallë të drejtësisë – përkatësisht mundësia e parashtruesit që t’i paraqesë parashtresë organit të shkallës së dytë, i cili nuk do të jetë i njëjti që ka vendosur në procedurën paraprake.

       Në datën 2 prill të vitit 2009, Komiteti të Helsinkit i ka arritur përgjigje nga drejtori i Drejtorisë për të hyra publike me të cilën na informon se janë të befasuar me mënyrën e komunikimit dhe të shpjegimit të vendimeve. Njëkohësisht në përgjigjen theksohet se “Drejtoria për të hyra publike është e hapur për bashkëpunim, por në asnjë moment nuk do të lejojnë të hyjnë në krijimin e kinse – procedurave të dëshmimit, arsyetimit dhe ngjashëm të veprimeve të cilat i ndërmerr Drejtoria në të gjitha segmentet e punës së vet.” Thjeshtë habitëse!!!

       Realizimin e drejtësisë palët e kanë vazhduar me ngritjen e procedurave civile gjyqësore për shlyerjen e vendimeve për pushimin e marrëdhënies së punës para Gjykatës Themelore Shkup 2 – Shkup.

Komiteti i Helsinkit duke mos dëshiruar që të përzihet në punën e organeve gjyqësore, e komenton atë që e morri si dokumentacion dhe sinqerisht shpreson se organet gjyqësore do ta shohin gabimin e bërë me çka do të zvogëlohet dyshimi në gjyqësinë e Maqedonisë.

2.2. Vallë a ekziston përgjegjësi për veprimin joligjor – rasti Çerdhja e fëmijëve “Bambi” - Makedonska Kamenica

       Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e realizuara para do kohësh, ishim dëshmitarë të shkeljes së ligjit përmes botimit të shpalljeve për punësime në institucionet shtetërore të cilat u paraqitën në mediat menjëherë shpalljes së zgjedhjeve presidenciale dhe lokale. Për nevojën dhe obligimin që pushteti të përmbahet nga punësimet në administratën shtetërore dhe në organet e vetëqeverisjes lokale, apeloi edhe Komisioni Shtetëror për pengimin e korrupsionit. E njëjta u thirr në dispozitën eksplicite nga Ligji për pengimin e korrupsionit në të cilën është përshkruar obligimi i tillë.

       Për dallim nga kjo, në entin Publik komunal për fëmijë – Çerdhja e fëmijëve “Bambi” nga Makedonska Kamenica, rast që ishte i regjistruar në kuadër të Komitetit të Helsinkit, pas parashtresës paraprakisht të dërguar nga Drejtori i Entit, Kryetari i Komunës pas shpalljes së zgjedhjeve ka bërë presion mbi Drejtorin me qëllim që të punësohen dy persona.

       Edhe përkundër faktit se veprimi i këtillë paraqet shkelje të ligjit, dhe duke parë parasysh atë që ky është vetëm nga rastet e shumta për premtimin ose realizimin e premtimeve për punësim, e njëjta mundet mbetet një gjë që duhet të mos merret parasysh, nëse theksohet fakti brengosës se as ka ekzistuar shpallje e botuar për punësim në entin, e as në pajtim me bërjen e të njëjtës nga ana e Ministrisë e financave. Procedura e këtillë e përcaktuar ligjore për punësim në entet publike për fëmijë aspak nuk ka qenë lëndë e shqyrtimit nga pushteti lokal, kështu që Kryetari i komunës me detyrim ka dërguar dy persona të qëndrojnë në çerdhen e fëmijëve si një lloj presioni për angazhimin e tyre punues.

       Edhe përkundër kërkesës së Drejtorit të entit që ta braktisin të njëjtën për shkak se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për punësimin e personave të ri, prapë se prapë dy personat edhe pse nuk kanë pasur të themeluar marrëdhënie pune, me qëndrimin e vet të dhunshëm e kanë penguar punën normale të çerdhes, dhe e tërë kjo në dëm të integritetit dhe qëndrimit të fëmijëve në entin.

       Komiteti i Helsinkit ju drejtua me shkresë Ministrisë së punës dhe politikës sociale, si organ që është kompetent që të bëjë mbikëqyrje mbi zbatimin e Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve. Në përgjigjen, Ministria shumë shkurt na informon se personat që pa autorizim kanë qëndruar në çerdhen e fëmijëve dhe për të cilat kryetari i komunës ka bërë presion që të angazhohen në punë duke mos marrë pëlqim nga Ministria e punës dhe e politikës sociale, janë tërhequr, përkatësisht nuk janë më të pranishëm në çerdhen.

       Poqese përmendet edhe faktin se kjo nuk ka qenë hera e parë që Kryetari i komunës të bëjë presion mbi Drejtorin të të njëjtës çerdhe për punësime duke mos e respektuar procedurën ligjore, dhe madje edhe gjatë pushimit veror entit i është shqiptuar edhe dënim në para nga ana e Inspektoratit shtetëror të punës – më saktë nga inspektorët e autorizuar komunal të rajonit konkret, poashtu për shkak të qëndrimit jo ligjor të të njëjtave persona, parashtrohet pyetja vallë a e ka përcjellë Ministria e vetëqeverisjes lokale punën e tij dhe vallë a është përgjegjësia  nocion i panjohur në shoqërinë tonë, edhepse është e paraparë pothuajse në të gjitha ligjet të cilat kanë të bëjnë me të drejtat e qytetarëve.

Parashtrohet pyetja poqese Drejtori i çerdhes nuk ka bërë presion te të gjitha Ministritë kompetente për thurjen e problemit, Kryetari i komunës do të kishte mund deri në pafundësi të veprojë në mënyrë jo ligjore dhe me këtë rast organet e administratës që janë kompetente për mbikëqyrje të heshtin me urtësi duke mos ndërmarrë masa për përcaktimin e përgjegjësisë dhe për sanksionimin e asaj që është bërë ... Kjo e fundit, gjithsesi nuk është karakteristikë  e shoqërisë në të cilën respektohen të drejtat e njeriut, por gjithsesi është karakteristikë e shoqërisë sonë, në të cilën tani për tani asnjë pushtet ose nëpunës i pushtetit nuk është përgjigjur për veprimet e veta joligjore, gjë e cila vetëm kontribuon për veprim të vazhdueshëm krye në vete në kundërshtim me dispozitat ligjore.

3. RASTE POLICORE DHE GJYQËSORE

3.1. Liria e të shprehurit nëpër labirintet gjyqësore të Maqedonisë – rasti Mençe Atanasova – Toçi.

       “Garantohet liria e të shprehurit, paraqitja publike, informimi publik.... Garantohet qasje e lirë në informacionet, liria e pranimit dhe transmetimit të informacioneve.” – thotë akti më i lartë juridik i vendit – Kushtetuta, në nenin 16. Historikisht mbrojtja e këtillë rrjedh nga Deklarata Universale për të drejtat e njeriut kur vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara janë pajtuar se çdo kush ka të drejtë për liri të të menduarit dhe të shprehurit, e cila e drejtë e përfshin edhe të drejtën që të kërkohen, të pranohen dhe të jepen informacione dhe ide përmes mediave dhe pa marrë parasysh kufijtë[10]. Më vonë, liria e të shprehurit është e vendosur poashtu edhe në Konventën Evropiane për të drejtat e njeriut me çka sigurohet mbrojtje e kësaj të drejte pa përzierje të pushtetit publik, me kufizime të caktuara[11].

       Domethënë, siç mund të vërehet liria e të pranuarit dhe të të transmetuarit e informacioneve është njëra nga të drejtat themelore të njeriut e mbrojtur në të gjitha shtetet demokratike, si edhe në Republikën e Maqedonisë në të cilën Deklarata Universale dhe Konventa Evropiane për të drejtat e njeriut janë pjesë përbërëse e rendit të brendshëm juridik dhe në pajtim me të njëjtën krijon obligim për respektimin  e tyre. Duke e pasur parasysh se profesioni i gazetarit nënkupton pranim dhe transmetim të informacioneve, gazetarët bëhen subjekte të mbrojtjes së të shprehurit me çka sigurohet roli i tyre për promovues kryesor të debatit të lirë politik në një shoqëri, gjë e cila është karakteristikë themelore e demokracive bashkëkohore. 

       Por, për fat të keq, vërshimi gjithnjë e më i madh i akt vendimeve gjyqësore dhe dënimeve kundër gazetarëve për informacione të shprehura madje edhe vetëm të transmetuara lë hapësirë për dyshim nëse dhe sa Maqedonia ju përgjigjet obligimeve që i ka ndërmarrë me ratifikimin e akteve përkatëse ndërkombëtare ose edhe më tepër sa shteti i respekton parimet veta juridike?!

       Edhe një në vargun e vendimeve gjyqësore kundër gazetarëve është ajo e fundit kundër gazetares së televizionit А1, Mençe Atanasova Toçi. Pa marrë parasysh se vendimi gjyqësor është vetëm i shkallës së parë dhe pritet mendimi i gjykatës së apelit lidhur me ankesën, vendimi si i tillë shkaktoi debat si për mënyrën e procedurës së realizuar gjyqësore ashtu edhe për vetë përmbajtjen e të menduarit të gjykatës. Gazetarja Toçi  është e dënuar dhe i është shqiptuar dënim pa prezencën e saj në seancën gjyqësore, për veprën “Shpifje” pas vetëm një seancë të caktuar dhe të mbajtur gjyqësore para Gjykatës Themelore Shkup 1 Shkup! Arsyetimi për gjykimin pa prezencën e saj gjendet në nenin 454 paragrafi 4 nga Ligji për procedurë penale (LPP) por me këtë rast harrohet se në pajtim me të njëjtin nen gjykimi në mungesë të të akuzuarit është i mundshëm por vetëm me kusht që prania e tij të mos jetë e nevojshme. Duke pasur parasysh se procedura penale është procedurë kontradiktore e cila i jep mundësi të akuzuarit të prezantojë dëshmi në dobinë e vet dhe me të vërtetë është e paqartë vendimi i gjykatës që vetëm pas një ftese për të akuzuarin, të sjell vendim për gjykim në mungesë, kur këtu bëhet fjalë për njërën nga të drejtat themelore të njeriut – e drejta në mbrojtje.

       Paqartësia e vendimit gjyqësor është edhe më e madhe edhe për shkak të faktit se vepra penale “Shpifje” sipas nenit 172 nga Kodi Penal (KP) nënkupton përhapje të të pavërtetave për tjetër person, por edhe vetë neni në paragrafin 4 sqaron se  “Nuk do të ndëshkohet për shpifje i akuzuari poqese e dëshmon vërtetësinë e pohimit të vet ose nëse dëshmon se ka pasur shkak të bazuar të besojë në vërtetësinë e asaj që e ka thënë ose e ka përhapur.”        

       Në këtë rast, gjykata në kundërshtim me parimet për procedurë kundërthënëse dhe të drejtën në mbrojtje nuk ka bërë përpjekje ta sigurojë praninë e të akuzuarit në seancën kryesore dhe me këtë ka lëshuar mundësinë ti mundësojë të njëjtës ta dëshmojë vërtetësinë e pohimeve të veta. Më në fund, përcaktimi i të vërtetës është punë edhe e gjykatës dhe për këtë ai duhet ti krijojë kushtet, pikërisht në mënyrë të kundërt me lehtësinë me të cilën është sjellë vendimi gjyqësor për “Shpifje” madje për informacione me karakter publik të thëna nga gazetari, me arsyetimin se “gjykata edhe ta kishte marrë në pyetje të akuzuarën kjo nuk do të sillte deri te përcaktimi i gjendjes tjetër faktike”?!

       Poashtu, Komiteti i Helsinkit konsideron se është e nevojshme të vërehet se gazetarja është e dënuar për shpifje, përkatësisht për informacione të cilat nuk janë thënë nga vetë ajo, por për të njëjtat janë theksuar burimet prej ku janë marrë informacionet, gjë e cila vë në pah esencën themelore të lirisë së të shprehurit e kjo është liria e pranimit dhe të transmetimit të informacioneve, posaçërisht përmes mediave e në dobi të interesit publik. Me këtë rast, në arsyetimin e vendimit gjyqësor gjykata deklaron se i besohet deklarimit të paditësit privat për shkak se i njëjti është përputhur me dëshmitë e dëshmitarëve tjerë, prind të të mbrojturve nga spitali Bardovc duke mos dëshiruar me këtë rast ti dëgjojë edhe deklarimet e dëshmitarëve të cilët gazetarja i vë në pah në tekstet e saja.

       Pa marrë parasysh se ndoshta nuk është e njohur në sasi të mjaftueshme për gjykatat vendase, por rregullimi i kufizimit të lirisë së të shprehurit dhe e transmetimit të informacioneve nga ana e mediave nuk është asgjë e re, përkundrazi Gjykata Evropiane për të drejtat e njeriut në një varg rastesh e ç’thur dilemën eventuale në raport me kufizimet e lejuara të lirisë së shprehjes në raport me veprat penale të “Shpifjes”. Kështu, Gjykata Evropiane qysh në vitin 1976 në rastin Hansid kundër Britanisë së Madhe definon se “liria e të shprehurit paraqet bazën e një shoqërie demokratike, një nga kushtet themelore të progresit të saj dhe të zhvillimit të çdo njeriu. Mbrojtja e lirisë së të shprehurit praktikohet jo vetëm për informacione ose ide të cilat pranohen me miratim ose të cilat konsiderohen si jo fyese ose indiferente, por aplikohet edhe për ato informacione të cilat e fyejnë, shokojnë ose shqetësojnë Shtetin ose ndonjë pjesë të popullatës. Këto janë kërkesat e pluralizmit, tolerancës dhe vetëdijes lartë të zhvilluar, pa të cilën nuk është i mundshëm ekzistimi i “shoqërisë demokratike”.

       Më tej, në rastin Observer dhe Gardjan kundër Britanisë së Madhe, e më vonë e konfirmuar edhe në një varg vendimesh tjera[12], Gjykata Evropiane vë në pah se kufizimet e lirisë së të shprehurit patjetër duhet të jenë të përcaktuara saktësisht posaçërisht kur bëhet fjalë për mediat. Edhepse ato nuk guxojnë ti tejkalojnë kufizimet e përcaktuara, prapëseprapë obligimi i tyre është të transmetojnë informacione të interesit publik. Jo vetëm që mediat kanë obligim ti transmetojnë informacionet që janë me interes publik, por edhe opinioni ka të drejtë ti dijë. Sepse në të kundërtën, mediat nuk do të mund ta realizojnë rolin e tyre jetik të “qenit-gardian” në shoqërinë. Në një rast tjetër[13], Gjykata Evropiane për të drejtat e njeriut do të konkludojë se mënyra e marrjes së informacioneve përmes intervistës paraqet një nga mjetet më të rëndësishme që shtypi (mediat) të mund ta realizojnë funksionin e tyre themelor.

Për fat të keq vendimi gjyqësor kundër gazetares Toçi është vetëm një në vargun e vendimeve kundër gazetarëve, gjë e cila është konfirmuar edhe me rangimin e Maqedonisë në vendin e 98-të në botë në raport me lirinë e të shprehurit, sipas raportit të organizatës Fridom Haus, e për këtë flasin edhe vërejtjet gjithnjë e më të zëshme nga Bashkimi Evropian për lirinë e mediave në Maqedoni. Komiteti i Helsinkit tërheq vërejtjen se mbrojtja e lirisë së të shprehurit dhe e raportimit nga mediat është kusht pa të cilin nuk mund të qëndrohet në një shoqëri demokratike, dhe për këtë shkak i fton institucionet relevante që ta respektojnë rendin vendor juridik si dhe obligimet që janë marrë për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, me qëllim të ruajtjes së demokracisë në Maqedoni.

--------------------------------------------------------------------------------

[1] Deklarata e Ministrit të drejtësisë Mihajllo Manevski “Gjykatësit të cilët nuk do t’i zgjidhin lëndët e vjetra deri në qershor të vitit të ardhshëm dhe të cilët edhe më tej do të veprojnë në mënyrë të këtillë me siguri do të përgjigjen para Këshillit Gjyqësor”. Në shpalljet e paguara për mediat elektronike Qeveria e RM  në rast të zgjatjes së tepërt të procedurave gjyqësore i këshillonte qytetarët të ankohen në Gjykatën Supreme, e nëse gjykatës ose prokurorë i kanë dëmtuar, të parashtrojnë aktpadi kundër tyre.

[2] “Këshilli në seancë e miraton raportin për punën e vet me shumicë prej dy të treta të votave nga numri i përgjithshëm i anëtarëve dhe ja parashtron Kuvendit të RM për shqyrtim dhe miratim. Poqese Kuvendi nuk e miraton raportin, kjo do të jetë bazë për nisjen e debatit para organeve të cilat i kanë zgjedhur anëtarët e Këshillit Gjyqësor për vlerësimin e punës së tyre në Këshillin” (neni 64). 

[3]Jan Dallhauzen, në Qendrën Ndërkombëtare për rregullimin e kontesteve investuese dhe profesor në kolexhin mbretëror në Londër. 

[4] SHBA, Austria, Zvicra, Gjermania, Franca dhe euro-ambasadori 

[5] Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë – neni 98 paragrafi 1 dhe 2 

            Pushtetin gjyqësor e kryejnë gjykatat. 

            Gjykatat janë të mëvetësishme dhe të pavarura. Gjykatat gjykojnë në sajë të Kushtetutës dhe ligjeve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara në pajtim me Kushtetutën. 

            Ligji për gjykatat – neni 1 paragrafi 1 dhe 2

            Pushtetin gjyqësor e kryejnë gjykatat në Republikën e Maqedonisë.  

            Gjykatat janë organe të mëvetësishme dhe të pavarura shtetërore. 

[6] Neni 8 vlerat themelore

[7] Neni 3 Qëllimet dhe funksionet e pushtetit gjyqësor përfshijnë:

      - aplikimi i pa anshëm i të drejtës pavarësisht nga pozita dhe cilësia e palëve, 

      - mbrojtje, respektimi dhe përparimi i të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore,

      - sigurimi i barazisë, barabarësisë, mos diskriminimit në çfarë do qoftë baze dhe 

      - sigurimi i sigurisë juridike në sajë të sundimit të të drejtës.

[8] Neni 2 i Ligjit për Këshillin gjyqësor të Republikës së Maqedonisë

[9] Ligji për nëpunës shtetërorë, Ligji për marrëdhënie pune si dhe Ligji për Drejtorinë e të hyrave publike 

[10] Neni 19 nga Deklarata Universale për të drejtat e njeriut e Kombeve të Bashkuara

[11] Neni 10 nga Konventa Evropiane për të drejtat e njeriut e Këshillit të Evropës 

[12] Bergens Tidende and others v Norway, 

[13] Bergens Tidende and others v Norway


Twitter Facebook
Normal_banner-free-sq Normal___________alb Normal_banner-lgbti Normal_banner-ws-sq Normal_screenshot_2017-10-24_13.29.57