Corner Raporte

Raport mujor për të drejtat e njeriut në Republikën e Maqedonisë 10 Dhjetor 2009

1. NGJARJE PUBLIKE DHE SHKELJE TË PARIMEVE DEMOKRATIKE 

1.1. E drejta e besimit fetar – privilegj për bashkësitë e mëdha fetare! 

1.2. Segregacioni  i Romëve në shkollat fillore në Manastir

1.3. Propozim ligji për ndihmë juridike pa pagesë  

1.4. E drejta për protestë dhe shfaqja e sërishme e goditjes!

2. RASTE POLICORE DHE GJYQËSORE

2.1. Rasti Fatime Idris Masllar

3. SHKELJE TË TË DREJTAVE EKONOMIKE DHE SOCIALE

3.1. Rasti Niçe Niçevski

3.2. Persona të zhvendosur brenda vendit fsh. Radushë 

3.3. Rasti Zineta Nurkoviq

_________________________________________________________________

NGJARJE PUBLIKE DHE SHKELJE TË PARIMEVE DEMOKRATIKE

1.1. E drejta e besimit fetar – privilegj i bashkësive të mëdha fetare!

Njëri nga parakushtet që të praktikohet besimi fetar në Republikën e Maqedonisë është që bashkësia përkatëse fetare të jetë e regjistruar në Regjistrin unik gjyqësor të kishave, bashkësive fetare dhe grupeve religjioze, e në pajtim me Ligjin për pozitën juridike të kishave, bashkësive fetare dhe grupeve religjioze.

Ky ligj në vitin 2007 u miratua pas presionit shumëvjeçar ndërkombëtar, madje miratimi i tij ishte njëri nga parakushtet për anëtarësim në NATO, gjithnjë me sqarimin se ligji i vjetër i kufizon liritë fetare posaçërisht në pjesën e regjistrimit të bashkësive tjera fetare. Ligji tani e lejon regjistrimin nëse “titujt dhe tiparet zyrtare e çdo kishe, bashkësie fetare ose grupi religjioz të ri dallohen nga titujt dhe tiparet zyrtare të kishave, bashkësive fetare dhe grupeve religjioze tanimë të regjistruara”[1].

Përfaqësuesit e Kryepeshkopatës së paregjistruar Ortodokse të Ohrit Gjykatës Themelore Shkup 2 i kanë dërguar kërkesë për regjistrim të “Kryepeshkopata Greko-ortodokse të Ohrit të Patrikanës së Pejës”, e cila është refuzuar nga e njëjta gjykatë.

Në vendimin për refuzimin e kërkesës, Gjykata më së pari informon se i është drejtuar Kishës Ortodokse Maqedonase (KOM) me kërkesë që e njëjta të dorëzojë informatë çka paraqet nocioni Patrikana e Pejës, vallë a është bashkësi fetare, e nëse është subjekt fetar me status legjitim juridik – dhe kujt ajo i takon. Nuk duhet as të theksohet se kërkesa e këtillë e Gjykatës paraqet precedencë dhe është në kundërshtim me normat ligjore sipas të cilave, nëse Gjykata ka nevojë për ekspertizë atëherë duhet t’u drejtohet ekspertëve të njohur dhe të pavarur ose ekspertëve gjyqësor.

Me atë që gjykata nuk e ka shfrytëzuar kompetencën e vet por ka vendosur t’i drejtohet KOM-it, e cila nuk është kurrfarë pale në procedurën e as ekspert i pavarur për çështje religjioze dhe fetare, Gjykata vetëm i përkrah theksimet e Kërkuesit se shteti i Maqedonisë sërish përmes organeve të veta e vë në pozitë të pa barabartë me qytetarët dhe personat juridik të tjerë duke e favorizuar KOM dhe duke e ngritur atë në nivel të besimit shtetëror fetar. Gjykata në vend që të përqëndrohet për vijimin dhe zbatimin e Kushtetutës dhe të ligjeve të RM është lëshuar në ndjekjen e deklarimeve të KOM-it duke i ngritur të njëjtat në të vërtetë absolute dhe fakte të bazuara, me çka, pa dyshim e ka diskriminuar kërkuesin.

Gjykata ka vepruar në kundërshtim edhe të praktikës së Gjykatës Evropiane sipas së cilës “Shteti ka obligim që të veprojë në mënyrë neutrale dhe pa anë në raport me përcaktimin e legalitetit të besimtarëve religjioz dhe njëkohësisht të sigurojë tolerancë midis grupeve, madje edhe nëse rrjedhin nga besimi i njëjtë fetar[2]“.

Më tej, në arsyetimin e vet Gjykata thekson se ligji nuk jep mundësi që në emër të subjektit fetar regjistrimi i të cilit kërkohet, të jetë i lejuar përdorimi i emrave dhe i fjalëve që burojnë të cilat janë pjesë ose asociojnë në titujt zyrtar përkatësisht emrave të shteteve ose të bashkësive tanimë të regjistruara. Sipas Gjykatës, përdorimi i fjalëve si kryepeshkopata ortodokse e Ohrit si pjesë përbërëse e emrit në kërkesën paraqet shkelje të ligjit për shkak se paraqet pjesë përbërëse të bashkësisë tanimë të regjistruar, KOM – Kryepeshkopata e Ohrit.

Mirëpo, nevojitet që të përmendet se Ligji i theksuar më lartë, kërkon që emri dhe shenjat zyrtare të çdo bashkësie të re fetare të dallojnë nga titujt dhe tiparet zyrtare të atyre tanimë të regjistruara, ndërsa as ky e as cili do qoftë ligj nuk operojnë me nocionin “pjesë përbërëse nga emri” ose “emër i cili asocion në emër ekzistues zyrtar” që të mund ky arsyetim i gjykatës të jetë i bazuar.

Njëri nga qëllimet e ligjit të ri është mundësimi i pluralizmit fetar dhe të lirisë së çdo qytetari që ta praktikojë besimin e vet pa dallim a bie kjo ndesh me interesat e bashkësive të mëdha fetare apo jo.

Besimi fetar nuk është asgjë tjetër përveç karakteristikë e demokracive bashkëkohore dhe kusht për praktikimin e të drejtave të njeriut në pjesën e besimit fetar. Në të vërtetë, edhe Gjykata Evropiane ka konfirmuar se struktura e organizuar, e njohur nga e shtetit me çka mundësohet ekzistimi legal i bashkësive religjioze, përkatësisht ekzistimin e bashkësive përkatësisht grupeve fetare është pjesë qenësore e jetës fetare dhe njëkohësisht paraqet mënyrë për manifestimin e religjionit dhe të bindjes fetare[3]. Gjykata Evropiane qëndron në pikëpamjen se mossuksesi i shtetit që të mbetet neutrale në praktikimin e pushtetit dhe njëkohësisht infiltrimi i saj i drejtpërdrejtë në vendimin se kush mund të themelojë grup religjioz e kush jo, paraqet shkelje të të drejtës për liri të religjionit të garantuar me nenin 9 të Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut.

Për fat të keq, gjykuar sipas numrit gjithnjë e më të madh të parashtresave drejtuara Komitetit të Helsinkit të parashtruara nga pjesëtarët e bashkësive më të vogla fetare të cilat nuk mund të regjistrohen, logjikisht imponohet konkluza se ekziston problem në implementimin përkatës të ligjit nga ana e gjykatave kompetente.

Në konkluzën e këtillë shpiejnë edhe qëndrimet e paraqitura në Raportin e fundit të BE për përparimin e Maqedonisë si dhe në Raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për liritë fetare, ku në mënyrë të prerë theksohet se mungesa e implementimit efektiv të ligjit i pamundëson bashkësitë fetare që të fitojnë status juridik.

Komitetit poashtu i arrijnë edhe parashtresa për maltretim policor të bashkësive të caktuara fetare. Nëse kësaj i shtohen edhe deklaratat e fundit të Komisionit shtetëror për marrëdhënie me bashkësitë fetare dhe grupet religjioze për bllanko përkrahje të shtetit për të gjitha aktivitetet e KOM-it, më se e dukshme është se parimi kushtetues për ndasi të shtetit nga kisha shkelet me privilegjimin e bashkësive të mëdha fetare e në llogari të pengimit të të drejtës për ushtrimin e besimit fetar për të gjithë qytetarët tjerë nga bashkësitë më të vogla fetare.

1.2. Segregacioni i Romëve në shkollat fillore në Manastir

Ngjarjet të cilat u shpallën në opinion në raport me segregacionin e mundshëm të fëmijëve Romë nëpër shkollat fillore në Manastir e tërhoqën vëmendjen edhe të Drejtorisë për zhvillim dhe përparim të arsimit në gjuhët e pjesëtarëve të bashkësive pranë Ministrisë së shkencës dhe të arsimit, por edhe të Komitetit të Helsinkit.

Pas vizitës së realizuar të përfaqësuesve të Komitetit në komunën e Manastirit, përfaqësuesit e sektorit joqeveritar në Manastir, ShF “Trifun Panovski” dhe ShF “Gjorgji Sugarev” nga Manastiri, në sajë të të dhënave të grumbulluara nga organet kompetente mund të konstatohen 3 gjendje të ndryshme faktike, e atë:

1.  Sipas komunës së Manastirit dhe Raportit të Drejtorit për zhvillim dhe përparim të arsimit në gjuhët e pjesëtarëve të bashkësive, është konstatuar se.... përveç dy paraleleve (një në klasën e parë dhe një në klasën e dytë) nuk ka paralele tjera që janë të pastra etnikisht (as rome, as maqedonase)[4]

2.  Sipas përgjigjes me shkrim që është marrë nga ShF “Gjorgji Sugarev”, është marrë informacioni se numri i nxënësve të regjistruar në klasën e parë gjatë vitit shkollor 2009/2010 është 105 (18 janë Maqedonas, 2 Shqiptarë, ndërsa 85 Romë).... mandej se paralelet themelohen para fillimit të vitit shkollor edhe në çdo paralele, në mënyrë të obligueshme ka edhe nga disa nxënës nga kombësia maqedonase. Numri i vogël i nxënësve nga kombësia maqedonase në dy vitet e fundit, është sqarimi se përse vjen deri te çrregjistrimi i tyre dhe në transferim në shkolla tjera. Në atë mënyrë sipas ShF, në klasën e parë dhe të dytë, kanë mbetur nga dy paralele kryesisht me nxënës nga kombësia rome gjë e cila nuk është rast me paralelet e klasave më të larta ku raporti i nxënësve sipas përkatësisë kombëtare është i barazuar.

3. Sipas kontrollit të drejtpërdrejtë dhe bisedës me përfaqësuesit e Komitetit të Helsinkit me një pjesë të të punësuarve në ShF “Gjorgji Sugarev”, Manastir është marrë informacion se në momentin e vizitës (në datën 24.09.2009), numri i nxënësve të regjistruar në klasën e parë gjatë vitit 2009/2010 është 72 nxënës (18 Maqedonas, 2 Shqiptarë, 52 Romë). Në shkollën ekzistojnë 7 paralele të pastra rome, dhe atë: në klasën e parë, të dytën dhe të tretën nga 2 paralele dhe në klasën e katërt një paralele.

-     Gjendja sqarohet me informacionet që u morën nga organizatat joqeveritare, sipas të cilave nga numri i tërësishëm i Romëve të regjistruar në klasën e parë në territorin e komunës së Manastirit nga një ka të regjistruar në ShF “Dame Gruev”, ShF “Todor Angelevski” dhe në ShF “Goce Dellçev”, 2 në ShF “Trifun Panovski”, 3 në ShF “Kiril-Metodij”, ndërsa të gjithë të tjerët janë të regjistruar në ShF “Gjorgji Sugarev”.

Organeve kompetente të mbikëqyrjes ju mbetet të përcaktojnë se cila gjendje faktike është e saktë!

Paraqitja e segregacionit[5] dhe i diskriminimit të fëmijëve Romë në arsimin është evidentuar si gjendje aktuale edhe në Strategjinë për Romët në Republikën e Maqedonisë. Rekomandimet e theksuara në Strategjinë nga lloji i: iniciativat arsimore të mbajnë llogari për mënjanimin e getoizimit, i cili ndikon në mënyrë destimuluese në kompetivitetin dhe motivimin e fëmijëve; siç shihet në praktikë nuk respektohet dhe gjendja nga dita në ditë keqësohet, kështu që për momentin ka gjeneratë të katërt me paralele të pastra rome.

Barazia e qytetarëve para Kushtetutës dhe ligjeve do të thotë trajtim i barabartë në ligjet dhe trajtim të njëjtë dhe pozitë në zbatimin e ligjeve (të drejtës), që do të thotë se qytetarëve duhet t’u sigurohet qasje e njëjtë në sistemin juridik dhe trajtim të njëjtë në institucionet e sistemit.

Barazia e qytetarëve është në lidhje të ngushtë dhe korrelacion me ndalesën absolute të diskriminimit, të cilën si dispozitë mund ta gjejmë edhe në rregullativën vendase (neni 2 nga Ligji për arsim fillor), edhe në dokumente dhe konventa të shumta ndërkombëtare, siç është Konventa Evropiane për të drejtat e njeriut (neni 14), Deklarata Universale për të drejtat e njeriut (neni 7), si dhe Konventa kundër diskriminimit në arsim e UNESKO-s (neni 1).

Në rastin konkret kjo do të thotë qasje e njëjtë për të gjithë fëmijët deri në shkollën fillore në rajonin e vet, pa dallim të besimit fetar, ngjyra dhe përkatësia[6], e jo me (politikë e brendshme interne shkollore) selektim dhe regjistrim të fëmijëve nga bashkësia maqedonase dhe refuzimin e fëmijëve nga bashkësia rome me arsyetim se ata tanimë e kanë shkollën e “tyre” dhe se nuk ka nevojë që të njëjtit të regjistrohen në shkolla tjera.

1.3. Propozim ligji për ndihmë juridike pa pagesë

Gjatë shtatorit të vitit 2009, pas punës dyvjeçare në propozim versionin, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë e mori propozim Ligjin për ndihmë juridike pa pagesë.

Komisioni i përhershëm anketues për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarit mbajti mbledhje ku ministri, deputetët dhe përfaqësuesit e sektorit joqeveritar debatuan për të njëjtin.

Me këtë ligj parashihet të rregullohen e drejta për ndihmë juridike pa pagesë, procedura në të cilën zbatohet, shfrytëzuesit, kushtet dhe mënyra e realizimit të saj, dhënësit e ndihmës juridike pa pagesë, organet kompetente të vendosjes, mbrojtja e të drejtës për ndihmë juridike pa pagesë, financimi dhe mbikëqyrja mbi zbatimin e saj, organizimi i ditëve për ndihmë juridike pa pagesë, ndihma juridike në kontestet tejkufitare si dhe mbikëqyrja mbi aplikimin e dispozitave nga ky ligj.

Qëllimi i ligjit është të sigurohet qasje e njëjtë e qytetarëve dhe personave tjerë të përcaktuara me këtë ligj në institucionet e sistemit, për njohjen, realizimin dhe mundësimin e ndihmës efektive juridike, në pajtim me parimin për qasje të barabartë deri te drejtësia.

Edhe përkundër shpërndarjes së propozim Ligjit për ndihmë juridike pa pagesë, nevoja dhe angazhimi për miratimin e ligjit të këtillë, sektori joqeveritar si në punëtoritë e mbajtura ashtu edhe në vetë seancën e Komisionit të përhershëm anketues kishte mjaft vërejtje. Me vërejtje konkrete doli edhe Komiteti i Helsinkit, të cilat njëkohësisht ju dërguan edhe Kuvendit të Republikës së Maqedonisë edhe Komisionit të Përhershëm anketues për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të qytetarit. Vërejtjet përbëhen me sa vijon:

1. Absolute është nevoja nga sqarimi deri në fund të definicioneve për nocionet, të cilat në tekstin e mëtejmë të propozim ligjit nuk bashkëveprojnë me përmbajtjen e propozim ligjit, 

2. Kritere dhe kushte konkretisht të definuara si për shoqatat e qytetarëve ashtu edhe për njësitë rajonale të ministrisë së drejtësisë,

3. Trajtimi jo i barabartë ndaj organeve të cilat do ta ofrojnë ndihmën juridike pa pagesë në pjesën e zbatimit të kontrollit dhe të mbikëqyrjes nga Ministria e drejtësisë, e nga ana tjetër avokatët dhe shoqatat e qytetarëve do ti nënshtrohen mbikëqyrjes së përhershme,

4. Procedura është e definuar si urgjente, e nga ana tjetër afatet për vendosje (për procedimin në sajë të kërkesës për ndihmë juridike pa pagesë dhe baza tjera), janë 15 ditë, i cili afat në realitet do të thotë procedurë e rregullt në pajtim me dispozitat në Ligjin për procedurë të përgjithshme administrative, 

5. Shfrytëzuesi vetë ta zgjedh organin nga i cili do të kërkojë ndihmë juridike pa pagesë, qoftë kjo të jetë për ndihmë paraprake juridike (njësitë rajonale të ministrisë së drejtësisë ose shoqatat e qytetarëve) qoftë të jetë për ndihmë juridike (zgjedhje e avokatit nga lista e cila ka qenë e përpiluar nga ministria) dhe 

6. Përcaktimi i saktë dhe konciz i nocionit pronë, përfshirë aty edhe hapësirën minimale banesore.

Komiteti i Helsinkit konsideron se propozim Ligji për ndihmë juridike pa pagesë në vete ka dispozita diskriminuese dhe nuk e mundëson trajtimin e njëjtë midis organeve të cilat do të japin ndihmë juridike pa pagesë, shfrytëzuesit e ndihmës juridike pa pagesë si dhe mbikëqyrje mbi organet e njëjta.

Komiteti i Helsinkit pret se pushteti do të jetë i arsyeshëm dhe do t’i përkrah vërejtjet e propozuara nga ana e opinionit profesional dhe sektori joqeveritar, dhe në fund do të rritet një fryt i mirë në drurin, ndërsa qytetarët e Republikës së Maqedonisë do të fitojnë ligj i cili praktikisht do të mund të implementohet.

1.4. E drejta për protestë dhe shfaqja e sërishme e goditjes!

Në periudhën e kaluar Komiteti i Helsinkit e shfaqi mendimin e vet në lidhje me gjendjen e ushtarëve profesionist në ARM dhe kërkoi ndryshim të rregullativës ligjore në favor të të njëjtëve.

Në të vërtetë, në pajtim me të njëjtin ligj[7], punësimi i ushtarëve profesionist që më parë kufizohet në kohëzgjatje prej më së shumti 12 vjet. Prapëseprapë, ky nuk është kufizimi i vetëm i marrëdhënies së tyre të punës, përkatësisht nëse ata kanë nënshkruar kontratë për punë e vazhdojnë shërbimin deri sa ta mbushin moshën 38 vjeçare, e pastaj marrëdhënia e punës ju pushon[8], për të cilën gjë ushtarët profesionistë pakënaqësinë e tyre u përpoqën ta shfaqin përmes protestës publike dhe me njohjen e opinionit të gjerë me kërkesat e tyre.

Për fat të keq, shteti jo vetëm që nuk jua plotësoi kërkesat, por ajo u përcaktua për presione të ndryshme me qëllim të përmbytjes së lirisë së të shprehurit dhe të drejtës për protestë publike.

Kështu, sipas deklarimeve të ushtarëve, edhepse deklarime gojore, janë përdorur masa të ndryshme duke filluar nga ndalesa e shfrytëzimit të ditëve të lira, ndalesa e kontaktimit me mediat, ndërprerja e pushimit vjetor, ndalesa për organizimin e protestës e deri tek kërcënimet për ndërprerje të marrëdhënies së punës, poqese ata nuk e ndërpresin protestën.

Maqedonia edhe një herë nuk arriti t’u përgjigjet sfidave me të cilat determinohet statusi i saj si shtet demokratik, e kjo është mundësimi i kushteve për shfrytëzimin e pa penguar të të drejtës për protestë publike. Shteti nuk mbeti konsekuent as ndaj obligimeve që janë marrë nga marrëveshjet ndërkombëtare, kështu që në raportin e fundit të BE ju tërhoq vërejtja, pas vargut të rasteve të frikësimit të fermerëve nga Manastiri, të kundërshtarëve të ndërtimit të kishës në sheshin qendror të Shkupit, të studentëve në resojë, por ai vazhdoi me praktikën e ngufatjes së lirisë së të menduarit dhe protestës publike edhe të ushtarëve profesionist.

Komiteti i Helsinkit sërish e shpreh brengosjen e vet nga trendi i këtillë dhe i apelon pushtetit që ta shfaq kapacitetin e vet demokratik për respektimin e njërës nga të drejtat fondamentale të njeriut – lirinë e protestës, në vend që të përdor metoda karakteristike për regjimet totalitare.

2. RASTE POLICORE DHE GJYQËSORE

2.1. Rasti Fatime Idris Masllar

Gjatë muajit mars[9] të vitit 2009, Komiteti i Helsinkit e regjistroi rastin e z-njës Fatime Idris Masllar, e cila ka parashtruar kërkesë për pranim në shtetësinë e Republikës së Maqedonisë gjatë vitit 2008. Më 23 Korrik të vitit 2008, Ministria e punëve të brendshme ka sjellë vendim[10] me të cilin e ka refuzuar kërkesën me arsyetim se z-nja Masllar nuk i përmbush kushtet e parapara në nenin 7 paragrafi 2 nga Ligji për shtetësi të Republikës së Maqedonisë, përkatësisht se e njëjta deri në parashtrimin e kërkesës ligjërisht nuk jeton në territorin e RM, më së paku 8 vite.

Në afatin e paraparë me ligj prej 30 ditësh, z-nja Masllar i ka paraqitur ankesë komisionit qeveritar të shkallës së dytë, i cili si organ i shkallës së dytë në afatin e paraparë prej 60 ditë nuk ka sjellë Vendim.

Pa marrë parasysh që nga muaji prill i vitit 2009 Komiteti i Helsinkit i dërgonte shkresa komisionit qeveritar të shkallës së dytë[11] me kërkesë që të informohet për deklarimet për mos respektimin e afateve ligjore të parapara me nenin 247 të Ligjit për procedurë të përgjithshme administrative si dhe a e ka marrë organi shtetëror ankesën e paraqitur, vallë e njejta a është trajtuar, çfarë është rezultati i të njëjtës dhe pse pala nuk është informuar, por për fat të keq, nga ana e tyre nuk është marrë përgjigje.

Nga ana tjetër Komiteti i Helsinkit, edhepse nuk i dërgoi shkresë Ministrisë së punëve të brendshme, më 22 maj të vitit 2009 mori shkresë me të cilën u informuam se vendimi i shkallës së parë palës i është dorëzuar më 14 Gusht të vitit 2008 dhe se kundër të njëjtit vendim nuk i ka paraqitur ankesë komisionit të shkallës së dytë për vendimmarrje në shkallë të dytë nga lëmi punëve të brendshme, gjyqësisë, administratës shtetërore, vetëqeverisjes lokale dhe punëve të karakterit fetar pranë Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.

Pas përgjigjes së marrë me përmbajtje të tillë, Komiteti i Helsinkit menjëherë realizoi bisedë telefonike me babain e z-njës Masllar, i cili na informoi se ankesa është parashtruar në MPB, ndërsa gjatë kontrollit nga ana e tij i është thënë se e njëjta ka qenë e regjistruar në ditarin me vërejtje se i është ridërguar organit të shkallës së dytë në datën 25 gusht të vitit 2008.

Me shkresë të përsëritur Komiteti i Helsinkit ju drejtua Ministrisë së punëve të brendshme me ç’rast i dërgoi edhe fotokopje të ankesës së paraqitur në afatin e duhur dhe kërkoi që zyrtarisht të informohet nëse e njëjta ankesë është e regjistruar në institucionin e tyre. Poqese përgjigja është pozitive (gjë e cila tanimë i është konfirmuar edhe z. Masllar) cilat janë arsyet për shkak të të cilave e njëjta ankesë nuk i është ridërguar organit kompetent të shkallës së dytë në pajtim me dispozitat ligjore[12] të parapara në Ligjin për procedurë të përgjithshme administrative.

Më 14 shtator të vitit 2009 Komiteti i Helsinkit mori përgjigje të dytën me radhë nga ministria me të cilën na informuan se pala ka parashtruar ankesë kundër vendimit të shkallës së parë. Me përgjigjen e cila është marrë u konfirmuan deklarimet e palës.

Komiteti i Helsinkit me brengosje të madhe konstaton se rasti i përmendur më lartë, paraqet pasqyrë reale të (mos)punës së komisioneve qeveritare të shkallës së dytë, e në rastin e theksuar konkretisht mbeti në heshtje komisioni për vendimmarrje në procedurë administrative në shkallën e dytë nga lëmi i punëve të brendshme, gjyqësia, administrata shtetërore, vetëqeverisja lokale dhe për punët e karakterit fetar.

3. SHKELJE E TË DREJTAVE EKONOMIKE DHE SOCIALE

3.1. Rasti Niçe Niçevski

Z-ti Niçe Niçevski na informoi se Qendra Ndërkomunale për punë sociale Shkup – Karposh ka sjellë vendim[13] për realizimin e ndihmës sociale në para. Me vendimin, palës i njihet e drejta për ndihmë sociale në lartësi prej 2.109.50 denarë, dhe në dispozitivin e të njëjtit është paraparë se vendimi do të zbatohet prej datës 01.03.2009.

Nga dokumentacioni i dërguar, përkatësisht fletëpagesa e parave të gatshme, është e dukshme se pala për muajin mars dhe prill e ka marrë shumën prej 1.457.50 denarë, shumë që nuk përkon me shumën e paraparë në vendimin e sjellë.

 Poashtu, në sajë të dokumentacionit të bashkangjitur është vërejtur se Enti Publik Qendra Ndërkomunale për Punë Sociale (EP QNPS) Shkup – Karposh thirret në nenet nga Dispozita për kushtet, kriteret, lartësinë, mënyrën dhe procedurën për përcaktimin dhe realizimin e të drejtës në ndihmë sociale në para (Gaz. zyrtare e R.M. nr. 15/98, 21/98, 28/01, 23/02, 91/02, 59/03, 37/03, 41/05 dhe 109/05).

Vlefshmëria e këtij vendimi në të cilin bazohet vendimi i miratuar ka pushuar me miratimin e Vendimit për pushimin e vlefshmërisë së vendimit për kushtet, kriteret, lartësinë, mënyrën dhe procedurën për përcaktimin dhe realizimin e të drejtës për ndihmë sociale në para (Gaz. Zyrtare nr. 58 e datës 11.05.2007).

Komiteti i Helsinkit disa herë me shkrim ju drejtua organit kompetent me të vetmin qëllim që të merr përgjigje përse pala, për muajt e vënë në pah, nuk ka marrë ndihmë sociale  prej 2.109 den.  siç është theksuar në Vendimin për realizimin e të drejtës për ndihmë sociale, përkatësisht përse vendimet në të cilat vendoset për të drejtën në ndihmë sociale tanimë dy vjet bazohen në Vendimin vlefshmëria e të cilit ka pushuar që në vitin 2007.

Nga ana e organit kompetent deri sot nuk kemi marrë përgjigje në pyetjet e parashtruara, dhe mbetet e paqartë përse pala nuk mund ta shfrytëzojë të drejtën e vet në tërësi, përkatësisht përse ajo financiarisht është e dëmtuar.

Edhe përkundër faktit që ligji për mbrojtje sociale, i cili ishte në fuqi deri në datën 2.7.2009 në nenin 29 parashikon se kushtet më të afërta, lartësia, kriteret dhe mënyra e realizimit të të drejtës për ndihmë sociale në para i përcakton Qeveria, Komiteti i Helsinkit konsideron se është absurde dhe e pa lejueshme që Qendra për punë sociale në vendimin e vet të thirret në dispozitë të pavlefshme dhe në sajë të të njëjtës t’i zgjidh çështjet e caktuara.

Komiteti i Helsinkit shpreson se organet kompetente nuk do t’i lejojnë vetes gabime të llojit të këtillë në të ardhmen, dhe se do ti ndërmarrin të gjitha aktivitetet e nevojshme për tejkalimin e situatës së krijuar, në favor të interesit më të mirë të shfrytëzuesve të mbrojtjes sociale.

3.2. Persona të zhvendosur brenda vendit fsh. Radushë

Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut ju drejtua një grup i personave të zhvendosur brenda vendit nga fsh. Radushë të cilët na informuan se nga braktisja e shtëpive të tyre në vitin 2001, e deri më sot ende nuk janë përmbushur kushtet për kthyerjen e tyre nëpër shtëpi.

Gjatë 8 viteve të fundit kompetenca për zgjidhjen e problemit vazhdimisht kalonte nga Qeveria në Ministrinë e punës dhe politikës sociale, e mandej i kalohej Qeverisë.

Tani, pa marrë parasysh që nga Ministria e punës dhe politikës sociale janë vendosur përkohësisht me qira, mbetet fakti se kjo nuk është zgjidhje përfundimtare. Poashtu, palët na informuan se është paraqitur edhe problem në raport me pagesën e parave të cilat ju paguhen varësisht nga ajo se sa anëtarë numëron një familje.

Palët na informuan se tanimë i janë drejtuar edhe Qeverisë edhe Ministrisë së punës dhe politikës sociale me kërkesë për takim me qëllim që problemi përfundimisht të zgjidhet. 

Komiteti i Helsinkit gjatë muajit tetor të vitit 2009 ju drejtua Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe Ministrisë së punës dhe politikës sociale, me kërkesë të informacionit nëse është realizuar takim me përfaqësuesit e personave të zhvendosur brenda vendit nga fshati Radushë, cilat janë konkluzat nga e njëjta dhe cilat aktivitete do të ndërmerren për zgjidhjen përfundimtare të situatës së krijuar. Për fat të keq nga ana e organeve kompetente ende nuk kemi marrë përgjigje.

Duke e pasur parasysh ndjeshmërinë e situatës, Komiteti i Helsinkit ju drejtua të gjitha organeve kompetente që çështja e të gjithë personave përkohësisht të zhvendosur përbrenda vendit përfundimisht të zgjidhet në drejtim të respektimit të të drejtave të tyre të garantuara me dokumentet ndërkombëtare dhe ligjet kombëtare.

3.3. Rasti Zineta Nurkoviq

Komiteti i Helsinkit u njoftua me rastin në të cilin pala tanimë dhjetë vjet në mënyrë të vazhdueshme punon në ShA për komunikacion postar “Makedonska poshta” – Shkup, si punëtor sporteli, mirëpo për tërë kohën, në vend me Kontratë për punësim ajo është e angazhuar me Kontratë për kryerjen e shërbimit, në pajtim me dispozitat nga marrëdhëniet obligative.

Pas parashtresës drejtuar Inspektoratit të punës, i njëjti ka bërë kontroll dhe vetëm e ka konstatuar gjendjen e pakontestueshme faktike. Prapëseprapë, është e paqartë përse inspektorati aspak nuk i ka marrë parasysh dispozitat nga Ligji për marrëdhënie pune ose ato nga Marrëveshja kolektive të N.P “Makedonska poshta” në të cilat padyshim rregullohet se marrëdhënia e punës midis punëtorit dhe punëdhënësit themelohet me nënshkrimin e Kontratës për punësim.

Pasiqë Komiteti i Helsinkit ju drejtua Inspektoratit shtetëror të punës, prej atje na informuan se kanë bërë kontrollim të ri, me ç’rast i kanë konstatuar parregullsitë e theksuara më lartë dhe se “janë ndërmarrë masa në pajtim me Ligjin për marrëdhënie pune”. Në përgjigjen poashtu theksohet se punëdhënësi ka bërë përpjekje ta rregullojë marrëdhënien e punës të palës, por e njëjta nuk ka qenë e mundshme për shkak se për këtë nuk ka marrë pëlqim nga Ministria e financave, e në mënyrë plotësuese edhe për shkak se me Konkluzë nga Qeveria kanë qenë të informuar se për shkak të zbatimit të masave kundër krizës nuk do të ketë punësime të reja deri në fund të vitit 2009.

Kjo, siç duket ka qenë sqarim përkatës për inspektoratin e punës sepse mandej pala na informoi se pas kontrollimit të realizuar inspektues ajo ka marrë vendim për ndërprerje të marrëdhënies së punës me çka i është ndërprerë marrëdhënia edhe ashtu e (pa) rregulluar e punës.

Absurditeti i këtij rasti është i dukshëm qartë sepse shihet se është më e madhe fuqia e masës Qeveritare nga vetë Ligji për marrëdhënie pune dhe dispozita Kushtetuese për të drejtën për punë të çdo njeriu. Por, prapëseprapë, absurditeti shkon deri atje që punëdhënësi në vend që ta sanksionojë punën e vet të paligjshme përmes harmonizimit të marrëdhënies së punës me Ligjin, ai duke mos dëshiruar që ta kundërshtojë masën qeveritare e ndërpret kontratën me palën.

Komiteti i Helsinkit shfaq brengosje për lehtësinë me të cilën shkelen ligjet themelore për të drejtat e punëtorëve dhe mos funksionimi i institucioneve të cilat duhet t’i mbrojnë. Komiteti rikujton se në parimin e sundimit të të drejtës, asnjë Qeveri ose masë Qeveritare nuk mund të vendoset mbi ligjet, e posaçërisht nuk mund të jetë në dëm të qytetarëve.

--------------------------------------------------------------------------------

[1] Ligji për pozitën juridike të kishave, bashkësive fetare dhe grupeve religjioze, “Gaz. Zyrtare e RM nr. 113/07” e datës 20.09.2007

[2] Metropolitan Church of Bessarabia and Others v. Moldova; Serif v. Greece; Ouranio Toxo and others v. Greece

[3] Rasti Hasan and Chaush v. Bulgaria

[4] Edhe përkundër asaj që  vetëqeverisja lokale ja ka propozuar masat vijuese:

-       Me konsekuencë dhe në tërësi të respektohet rajonizimi nga ana e të gjithë drejtorëve të shkollave fillore të komunës së Manastirit, 

-       Të sigurohet se nuk do të ndodh që nxënës Romë të cilët do të shfaqin dëshirë të regjistrohen në shkollat tjera fillore në Komunën e Manastirit të refuzohen me pretekst se nuk ka vend, dhe 

-       Të organizohet transport pa pagesë dhe të sigurohet pranimi në shkollat tjera fillore për ata nxënës Romë të cilët për momentin mësojnë në Sh.F. “Gjorgji Sugarev” poqese shkollat e tyre vendosin t’i transferojnë në shkollat tjera në komunën...

[5] Fëmijët romë nuk janë të pranuar në mënyrë përkatëse nga mjedisi në të cilin arsimohen; fëmijët tjerë nuk dëshirojnë të ulen me ta ose të shoqërohen, dhe zakonisht ulen vetë ose në bankat e fundit; disa profesorë nuk punojnë në mënyrë të mjaftueshme me këto fëmijë; fëmijët romë turpërohen nga veshja e tyre, është vërejtur edhe diskriminim në sjelljen dhe vlerësimin.

[6] Neni 46 paragrafi 3 nga Ligji për arsim fillor.

[7] Neni 35, Ligji për shërbim në armatën 

Me ushtarët profesionist në shërbim në Armatën, Ministria e mbrojtjes nënshkruan kontratë për punë. Kontrata për punë me ushtarët profesionist nënshkruhet për kohëzgjatje prej tre vjet.

Varësisht nga rezultatet e treguara dhe nevojës e gjinisë përkatësisht shërbimit ushtarak, kontrata për punë me ushtarët profesionist mund të vazhdohet edhe më së shumti tri herë.

[8] Neni 259а, Ligji për shërbim në armatë, Gaz. zyrtare e RM nr. 134 e datës 06.011.2007

[9] Në datën 30.03.2009 z. Masllar ju drejtua Komitetit të Helsinkit  

[10] Vendimi nr. 16.11.1 – 68765/1 – 2007

[11] Shkresat janë dërguar në datat 15.04.2009, 08.06.2009, 16.07.2009 dhe 17.09.2009 

[12] Neni 233 nga Ligji për procedurë të përgjithshme administrative

Ankesa i dorëzohet drejtpërdrejtë ose i dërgohet me postë organit i cili e ka sjellë vendimin e shkallës së parë.

[13] Vendimi nr. 677.07,-32225/3 i datës 09.04.2009.


Twitter Facebook
Normal_banner-free-sq Normal___________alb Normal_banner-lgbti Normal_banner-ws-sq Normal_screenshot_2017-10-24_13.29.57